Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), ka dorëzuar të enjten një kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Prishtinë ndaj Ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati lidhur me dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
“SBASHK ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Prishtinë te Departamenti i përgjithshëm, ndaj ministrit në detyrë Hekuran Murati, për shkak të dyshimit të bazuar të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, duke mos vepruar sipas Ligjit për Këshillin Ekonomik Social, duke mos shpallur që nga fundi i vitit 2022 ftesën për formimin e këtij Këshilli për çka është i obliguar ligjërisht”, thuhet në njoftimin e tyre.

Sipas tyre, “me këtë mosveprim, Murati i ka shkaktuar dëme të palës së tretë”, pra sindikatave dhe anëtarëve të sindikatave në Kosovë, duke pamundësuar, siç thonë ata, diskutimin për ligjet dhe rregulloret “që prekin gjithë të punësuarit në Kosovë e me theks të veçantë duke e lënë Kosovën pa Marrëveshjen Kolektive si e drejtë që buron nga Ligji i punës dhe kështu Kosova mbetet si i vetmi shtet në rajon që nuk ka këtë Marrëveshje të nënshkruar”.









