Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj avokatit Ahmet Tahiri, i cili është vëllai i kandidatit të LDK-së për të parin e Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, nën dyshimet për kryerjen e veprës penale keqpërdorim i besimit.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm pas një pune hetimore ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit A.T., pasi që ekziston dyshimi i bazuar mirë se i njëjti me dashje i ka keqpërdor autorizimet e tij, në cilësinë e avokatit, me qëllim që vetes t’i sjell dobi pasurore të kundërligjshme”, shkruhet në njoftimin e Sistemit Prokurorial.

Në njoftim theksohet se avokati Tahiri ka dëmtuar pasurinë e kompanisë “U.” SH.P.K në një shkallë të madhe, duke përfaqësuar interesat pasurore të të njëjtës pas një marrëveshje që kishin pasur lidhur me shpërblimin për përfaqësim në procedurën e rritjes së vlerës së shpronësimit.

Sistemi Prokurorial ka njoftuar po ashtu se i ka propozuar gjykatës që të pandehurit t’i ndalohet ushtrimi i profesionit, veprimtarisë ose detyrës si dënim plotësues.

Xhafer Tahiri ka protestuar ndaj lajmit, duke thënë se avokatin Ahmet Tahirin, ligjërisht nuk e ka vëlla.