Disa persona të nacionalitetit serb janë ndaluar nga Policia e Kosovës pas përfundimit të festës së ashtuquajtur “Vidovdan” në Gazimestan të Obliqit.
Ata janë ndaluar për shkak se gjatë festës së tyre kanë kënduar këngë nacionaliste serbe kundër Kosovës. Numri i saktë i të ndaluarve ende nuk dihet.
Pas përfundimit të festës, në kontrollet qe i ka bërë Policia gjatë daljes së tyre, personat që kanë kënduar këngë të tilla janë identifikuar dhe ndaluar.
Festa që e festojnë serbët çdo 28 qershor ka të bëjë me Betejën e Kosovës.
Beteja e Kosovës u zhvillua në vitin 1389, në Fushë Kosovë, saktësisht 637 vite më parë. Ishte një betejë në mes të aleancës ballkanike dhe Perandorisë Osmane, që ishte përmbyllur me fitoren e këtyre të fundit.
Përkundër se ballkanasit kishin krijuar një koalicion, historiografia serbe ka tentuar që ta përvetësojë këtë betejë.
Për ta rritur edhe më tej rëndësinë e kësaj dite, siç e quajnë ata Vidovdanin, Serbia e ka shpallur edhe si festë zyrtare nacionale për të gjithë popullin serb 28 qershorin, duke tentuar kështu që ta argumentojnë narracionin e tyre malinj “për të drejtën mbi Kosovën”.









