Komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, ka biseduar me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ku i ka shprehur keqardhje për këngën nacionaliste serbe kundër Kosovës që u interpretua në Bruksel, në hapje të Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian, ngjarje e organizuar nga Komisioni Evropian, nën udhëheqjen e Kos-it.

“Isha në kontakt edhe me kryeministrin dhe i shpreha keqardhjen që ndodhi diçka që nuk duhej të kishte ndodhur”, tha Kos në debatin e zhvilluar më 17 nëntor në Komisionin për Çështje të Jashtme dhe Evropiane të Belgjikës, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Ajo theksoi se grupit muzikor i kishin dhënë udhëzime, “por nuk e miratuam secilën këngë veç e veç”.

“Sa i përket pjesës muzikore: siç e thashë, grupit muzikor i dhamë udhëzime se çfarë donim, por nuk e miratuam secilën këngë veç e veç. Më vjen shumë keq që ndodhi kjo sepse Kosova e meriton gjithë mbështetjen tonë dhe do ta marrë gjithë mbështetjen tonë”, deklaroi Kos.