Pas mbledhjes së Kryesisë së partisë, kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, në një konferencë për media, ka paraqitur atë që i quajti “lajme të këqija” për vendin.
Sipas Aleancës, një ndër shqetësimet kryesore është gjendja energjetike në Kosovë, për të cilën përgjegjëse e bën Qeverinë e Albin Kurtit.
“Prej kësaj foltoreje, ka disa muaj, që prej korrikut, që kolegët e mi në Aleancë e kemi paralajmëruar popullin e Kosovës se kemi me ardhë në një situatë të rëndë energjetike, gati në kolaps energjetik. Sot po shihet që kjo është evidente. Faji është krejt në Prishtinë, faji është krejt te Qeveria e Kosovës, për shkak të neglizhencës, për shkak të moskompetencës e, sipas të gjitha gjasave, edhe për shkak të korrupsionit në të gjithë sektorin”, tha Gjini.
Ai foli edhe për vendimin e fundit të Qeverisë së Kosovës për ndalimin e importit të energjisë elektrike nga Serbia.
Sipas Gjinit, ky vendim do të përdoret gjatë muajve të dimrit për t’ia lënë Serbisë fajin për problemet me energjinë elektrike.
“Ndalimi i importit të energjisë nga Serbia është një mënyrë e hedhjes së hirit syve për qytetarët e Kosovës. Ta keni të qartë, prej Serbisë si shtet, Kosova ka blerë më së paku energji, por kompanitë që licencohen në Prishtinë për të importuar rrymë dhe për ta transmetuar atë në Kosovë janë të Serbisë ose kontrollohen krejtësisht nga Serbia”, tha Ardian Gjini.









