Korporata Energjetike e Kosovës e ka pohuar se po përballen me mungesë të prodhimit të energjisë, siç njoftoi paraprakisht Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO).
Veçse përmes një reagimi për media, KEK-u ka njoftuar se nuk ka “kollaps”, por është arsyetuar se njësitë në termocentralin “Kosova A” dhe “Kosova B” janë të stervjetruara dhe se po përballen me defekte teknike.
“Korporata Energjetike e Kosovës (KEK sh.a.) dëshiron të sigurojë opinionin publik se operimi i njësive tona prodhuese vazhdon normalisht dhe nuk ka asnjë kolaps prodhimi. Njësitë e Termocentralit “Kosova A” dhe “Kosova B” janë të stërvjetruara dhe përballen me defekte teknike të paplanifikuara dhe të vështira për t’u parashikuar me saktësi”, thuhet në reagim.
Tutje në reagim thuhet se ekipet teknike të KEK-ut janë në gatishmëri të plotë dhe reagojnë me profesionalizëm dhe përkushtim të menjëhershëm për çdo situatë.
“Njësia A3 është rikthyer në operim dhe po funksionon normalisht. Njësia B1 parashihet të rikthehet brenda 48 orëve, ndërkohë që po punohet maksimalisht për rikthimin në operim edhe të njësive të tjera të Termocentralit “Kosova A” në ditët në vijim”.









