Pas rikthimit në funksion, tymtarët e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) janë duke nxjerrë tym të zi të dendur, posaçërisht ata në termocentralin “Kosova A”, pasi që dyshohet se nuk janë duke u filtruar.
Këtë sasi të madhe të tymit të zi që janë duke lëshuar termocentralet e KEK-ut, e kanë parë me shqetësim njerëzit e politikës dhe të mediave, pasi që mund të ketë efekte negative në gjendjen shëndetësore.
I ashpër në reagim ka qenë analisti politik, Avni Arifi. Ai ka vlerësuar se kushdo që e ka dhënë lejen për t’u lëshuar ky termocentral do duhej të “arrestohej”.
“Këqyrne vet çfarë helmi po na jepet pa u filtru, veç mos me pranu që KEK ka kolapsu. Kjo qeverisje po shndërrohet çdo ditë në krim më të madh e më të madh”, ka shkruar Arifi në Facebook, i cili ka bashkëngjitur edhe një video ilustruese.
Tymin e rrezikshëm nga termocentralet e KEK-ut e ka përmendur edhe deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, gjatë një replike në rrjetet sociale me Ministrin në detyrë të financave, Hekuran Murati.
“A i ke parë sot tymtarët e KEK-ut çfarë po nxjerrin? Pse nuk flet për grantin e BE-së rreth 70 milionë euro për investime në KEK, kryesisht për filtrat, mjete që nuk erdhën për shkak të masave ndëshkuese të BE-së”, shkroi ndër të tjera Bajrami, pasi që Murati “alarmoi” për rrezikun që Kosova të humbasë një financim prej 90 milionë eurosh nga Banka Botërore për shkak të moskonstituimit të Kuvendit.
Sipas saj, vendi është “shkatërruar” nga pushteti aktual. “Përsëri keni fytyrë të dilni publikisht me broçkulla”, thotë ajo, duke shtuar se ekzekutivi po përpiqet të shmang përgjegjësinë për dështimet e përditshme për më tepër se katër vjet.