Një mural kushtuar kujtesës, sakrificës dhe lirisë është bërë pjesë e hapësirës publike të kryeqytetit.
Në muralin e vendosur në lagjen “Ulpiana” të Prishtinës shihen ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Përmes një njoftimi, nënkryetarja e Prishtinës, Besianë Musmurati, ka bërë të ditur se muralin e ka përmbyllur së bashku me drejtorin e Kulturës, Isah Mustafën, dhe artisten OrangeGirl.
Sipas Musmuratit, vepra përmban katër portrete që paraqesin pjesë të historisë së Kosovës, nga uniforma e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe lufta për liri, deri te angazhimi për ndërtimin e shtetit dhe pavarësinë e Kosovës.
“Teli simbolizon kufizimin dhe izolimin. Zogjtë mbi të, lirinë që nuk mund të burgoset”, ka shkruar Musmurati.
Ajo ka thënë se muri është një vepër për kujtesën, sakrificën dhe lirinë, por edhe për një histori që, sipas saj, për Kosovën ende nuk është mbyllur.
“Prishtina kujton. Prishtina pret. Kosova pret kthimin e çlirimtarëve”, ka përfunduar Musmurati.









