Shtylla e argumentit politik për Vetëvendosjen aktualisht është se sa shumë e duan Kushtetutën e respektojnë Gjykatën Kushtetuese.

Po veç pak kohë më parë, në Vetëvendosje besonin se Gjykata Kushtetuese duhet ta mbyllë gojën e të mos flasë fare, se nuk i buron legjitimiteti nga populli.

 “Unë e ftoj Gjykatën Kushtetuese që në zgjedhjet e ardhshme të garojnë edhe ata, le të garojnë në zgjedhje. Nuk është apolitike nëse merr vendime për politikat, për ato garohet në zgjedhje. Kur ata të garojnë, ju mund të votoni për ta.” Deklaronte Albin Kurti

Në një deformim logjik e juridik që tund shtyllat e demokracive perëndimore, vartësi i Kurtit, tash i zhdukur dikah nëpër institucione, përforconte argumentin se Gjykata Kushtetuese s’duhet të ketë gojë, se s’ka votë.

 “Duhet me u bo qeveri një herë, me kërku vota tek qytetarët si Gjykatë Kushtetuese, tani me thanë unë e caktoj pagën e deputetit, unë e vendos a ka me i pasë KPM-ja shtatë anëtarë apo njëmbëdhjetë anëtarë.” Deklaronte Besnik Bislimi

E për Glauk Konjufcën, zbardhuesin e të zezave të partisë, Gjykata Kushtetuese jo veç që nuk duhet të flasë, po kur flet edhe bën faj.

 “Edhe Gjykata Kushtetuese i kontribuoi krizës, qasja e saj ishte më shumë politike sesa kushtetuese.” Deklaronte Glauk Konjufca

 “Duke i mbajtur peng ligjet, në trajtim pra, duke i trajtuar ato dhe duke marrë shumë kohë derisa po nxjerr aktgjykim, sigurisht që kjo është pengesë e reformës në drejtësi. Është pengesë shumë e madhe.” Deklaronte Albulena Haxhiu

Natyrisht, si opozita, si mediat, e si gjithë të tjerët, as kjo gjykatë nuk shpëton dot nga akuza e famshme “e lidhur me Listën Serbe e Serbinë”.

 “Jemi përballur me një bllokadë të jashtëzakonshme institucionale, të cilës vulën ia ka dhënë së fundi Gjykata Kushtetuese me masën e përkohshme me kërkesë të Listës Serbe.” Deklaronte Donika Gervalla

 “Votimin e tij dhe domosdoshmërinë e mbajtjes së nënkryetarit nga Lista Serbe e përcaktoi Gjykata Kushtetuese, nuk e përcaktoi Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje. Nuk e përcaktoi Kryetarja e Kuvendit e as nuk e përcaktoi ekzekutivi.” Deklaronte Kusari Lila

Herë pas here linçimi shkon larg, e shndërrojnë atë në zyrë partish politike.
 “Kjo nuk është drejtësi. Ky është arbitraritet klientelist, që synim ka t’ua sigurojë gardës së vjetër në tavolinë atë çfarë nuk ua dha populli me votë.” Shkruante Hekuran Murati

Këto janë veç disa nga komentet. Si këto ka qindra të tjera. S’ka ministër, deputet, anëtar të Vetëvendosjes që s’ka pasur një mendim të ngjashëm për Gjykatën Kushtetuese.

E meqë shpesh përfundonin në këtë Gjykatë, me shkeljet e vazhdueshme që i bënin, komentet, fryrjet, linçimet për gjyqtarët ishin të shumta e të shpeshta.

Dhe befasisht, tash po thonë se shpëtimtarja e vetme në këtë situatë është Gjykata që për 5 vjet e trajnuan popullin ta konsiderojë si armikja supreme.