Media ndërkombëtare si Reuters, AP News, Euronews e Deutsche Welle i kanë kushtuar artikuj zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit në Kosovë, duke theksuar përsëritjen e vazhdueshme të zgjedhjeve dhe zhgënjimin qytetar me to.
“Kosova iu drejtua kutive të votimit në zgjedhjet parlamentare të dielën, të tretat në vetëm 18 muaj, pasi asnjë parti nuk ka arritur të fitojë një shumicë mjaftueshëm të fortë për ta nxjerrë vendin ballkanik nga një krizë politike”, shkruan të dielën agjencia e lajmeve Reuters.
Reuters e përshkruan Kosovën si një nga shtetet më të reja në Evropë, ndër më të varfrit dhe me aspirata për t’u inkuadruar në Bashkim Evropian, duke nënvizuar faktin se parlamenti i Kosovës fillimisht pati vështirësi të zgjidhte një kryetar të Kuvendit e më pas Presidentin.
“Kombi më i ri i Evropës dhe një nga më të varfrit ka aspirata për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian, por nuk ka pasur një qeveri funksionale për pjesën më të madhe të vitit të kaluar, pasi parlamenti i saj i përçarë nuk arriti të zgjedhë së pari një kryetar dhe më pas një kryetar të ri shteti.”
Euronews thotë se publiku në Kosovë është i frustruar nga siç i quan “zgjedhjet e papërcaktuara” gjatë vitit 2025.
“Vendi më i ri i Evropës është përballur me frustrim në rritje të publikut që nga mbajtja e zgjedhjeve pa fitues të qartë në shkurt 2025”, shkruan Euronews.
Njëjtë shkruan edhe AP News, mediumi amerikan, që thotë se “paaftësia e tyre për të arritur një kompromis ka shtuar zhgënjimin te rreth 2 milionë qytetarët e Kosovës, të cilët presin që institucionet të përqendrohen te ekonomia dhe përmirësimi i standardit të jetesës”.
Ndërkaq Deutsche Welle në artikullin e saj shpjegon se pse Kosova po voton për herë të tretë në 18 muaj.
“Megjithëse partia e qendrës së majtë e kryeministrit Albin Kurti, Lëvizja Vetëvendosje, mban shumicën e vendeve në Kuvend, presidenti duhet të zgjidhet me të paktën 80 vota në parlamentin prej 120 deputetësh. Në votimet e fundit parlamentare, nuk kishte mjaftueshëm deputetë të pranishëm në sallë për të mundësuar një votim të vlefshëm, për shkak të bojkotit të opozitës”, shkruan Deutsche Welle.









