Pas pesë vitesh në krye të shtetit, Presidentja Vjosa Osmani, sot, më 04 prill, do t’ia kalojë zyrtarisht detyrën spikeres së Kuvendit, Albulena Haxhiu, e cila do të ushtrojë funksionin e ushtrueses së detyrës së Presidentit.

Zyra e Presidencës ka njoftuar mediat se ceremonia e kalimit të detyrës do të mbahet këtë pasdite, më saktësisht nga ora 16:00 në kabinetin e Vjosa Osmanit.

Legjislatura e dhjetë e Kuvendit nuk arriti të krijojë nja shumicë që do të mundësonte inicimin e procedurës së zgjedhjes së Presidentit.

Më 06 mars, Presidentja Vjosa Osmani nxorri një dekret që shpërndante Kuvendin, të cilin e bazonte në nenin 86 të Kushtetutës së Kosovës, i cilit thotë se Presidenti i ri duhet të zgjidhet 30 ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual.

Më 25 mars, Gjykata Kushtetuese rrëzoi dekretin e Osmanit mbi arsyetimin se Kuvendi, i konstituuar vetëm më 11 shkurt, nuk arriti të përmbushë afatin 60-ditor për zgjedhjen e Presidentit, duke i dhënë kështu edhe 34 ditët e mbetura, pas të cilave Kuvendi shpërndahet “ex constitutione” .