Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës është mbyllur sërish, pa u arritur zgjidhje për konstituimin e Kuvendit.

Gjatë seancës, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, e ka sulmuar me vezë kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin.

Veprimi i Kadrijajt erdhi pasi Kurti nuk propozoi kandidat për kryetar të Kuvendit dhe kërkoi kohë shtesë për të arritur një marrëveshje politike.

Seanca e së shtunës kishte nisur me gati një orë e gjysmë vonesë, ndërsa Kuvendi vazhdoi punimet edhe pse procesi i konstituimit tashmë ndodhet jashtë afatit kushtetues.

Në sallë ishin të pranishme të gjitha partitë politike.

Megjithatë, edhe pas vazhdimit të seancës, nuk pati marrëveshje dhe seanca u mbyll sërish.

Kurti ka kërkuar kohë shtesë për të vazhduar diskutimet për një marrëveshje politike, ndërsa konstituimi i Kuvendit mbetet ende i papërfunduar.