“Reagimi publik dhe presioni qytetar e detyruan Albin Kurti të tërhiqet nga përpjekja e tij për ta zgjedhur Presidentin në stil ‘karate’ dhe për ta përmbysur rendin kushtetues”, ka thënë Sekretarja e Kuvendit, Vlora Çitaku.

Këto komente, Çitaku i ka bërë përmes një postimi në Facebook, pasi që dështoi seanca për zgjedhjen e Presidentit dhe vendi shkoi në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare, edhe pse fillimisht të hënën VV-ja filloi procedurat për zgjedhjen e të parti të shtetit, ndonëse në sallë nuk ishin 80 deputetë, ashtu siç e kërkon Kushtetuta.

Por, megjithatë, Sekretarja e PDK-së potencoi se edhe mbrëmjen e së martës, Kurti bëri aq sa mundi. “Doli dhe abuzoi me zyrën e Presidentit”, potencoi ajo, duke iu referuar faktit që Kurti së bashku me kandidaten e VV-së për Presidente, Feride Rushiti, iu drejtuan qytetarëve në një konferencë për media nga salla e konferencës të Presidentit.

“Albin, nga ajo sallë qytetarëve u drejtohet Presidentja apo Presidenti i zgjedhur. Jo Kryeministri dhe as kandidatja e shumicës”, pohoi ajo.

Shfaqja e së martës, sipas Çitakut, “e ilustroi qartë, me zë dhe figurë, se ju në fakt e shihni veten si autoritetin e vetëm në këtë vend: edhe President, edhe Kryeministër, edhe Ministër, edhe Kryeprokuror, edhe gjithçka tjetër”.

Këtë, Çitaku e konsideroi si “një shfaqje e turpshme”.

Pas dështimit të seancës për Presidentin të martën, Kuvendi është shpërndarë dhe vendi ka shkuar në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditëve.