Pas shumë tentimesh të dështuara, Albulena Haxhiu nuk do të jetë kandidate për Kryetare të Kuvendit në seancën kostituive të së premtes. Këtë e ka konfirmuar vetë ajo.
“Unë jo”, ka thënë shkurtimisht Haxhiu pasi që është pyetur nga gazetarët nëse do të jetë përsëri kandidate për Kryetare.
Ajo nuk ka treguar se kush do të jetë kandidati i propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje në seancën e sotme. “E shihni pas pak”, pohoi Haxhiu.
Kjo është seanca e dytë konstituive pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Në seancën paraprake, Albulena Haxhiu mori vetëm 57 vota. Pas saj, u propozua Donika Gërvalla, e cila po ashtu nuk i mori votat e mjaftueshme për të udhëhequr me legjislativin.
Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese konstatoi se në seancat e mëhershme, deputeti Avni Dehari ka shkelur Kushtetutën dhe aktgjykimin e parë të nxjerrë nga ky institucion. Gjykata gjithashtu konstatoi se Kryetari i Kuvendit duhet të zgjidhet me votim të hapur, se një kandidat mund të propozohet tri herë, dhe se konstituimi duhet të ndodhë brenda 30 ditëve.









