Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, një pjesë e shoqërisë civile dhe juristja Flutura Kusari, kanë theksuar se pushteti i Vetëvendosjes po synon kapjen totale të Komisionit të Pavarur të Mediave dhe televizionit publik të Kosovës. Këto komente, i kanë bërë në një konferencë për media pranë Kuvendit të Kosovës, të mërkurën.
“I gjithë procesi është jotransparent, nga ana e deputetëve të partisë më të madhe, organizimi i shqyrtimit të dosjeve të kandidatëve, janë mbi 70 për RTK dhe mbi 30 për KPM. Ka pasur mungesë transaprence dhe për këtë anëtarët e opozitës e kanë bojkotuar mbledhjen e komisionit ad-hoc. Koha që janë ftuar kandidatët për intervistë ka qenë e kufizuar, dhe ua ka pamundësuar kohën e përgatitjes. Njëri kandidat është ftuar në orën 21 për intervistë sot. 70 aplikime që janë pranuar të premten, deputetët i kanë shqyrtuar dje, direkt pas pushimit të pashkëve”, ka thënë Kryetari i AGK-së, Xhemajl Rexha.
Ai ka theksuar se AGK dhe shoqëria civile kërkojnë që ky proces të pezullohet dhe të nis “vetëm kur të sigurohet që ka transparencë, dhe me kohë të përshtatshme për përgatitje”.
Më mirë të ketë vonesë në zgjedhjen e anëtarëve të bordeve, se të ketë proces të komprometuar, dhe që ka për synim kapjen e këtyre bordeve”, tha Rexha.
Deputetët e VV-së, sipas juristes së medias, Flutura Kusari, kanë pasur takime me kandidatët për anëtarë të Bordit në RTK.
“Karakteristikat janë tipike kur një parti në pushtet synon të kap një insttiucion të pavarur. Niveli i kualitetit të kandidatëve është shumë i ulët, është shumë vështirë me gjet profesionistë, dhe kjo ka ndodhur pasi profesionistët nuk i besojnë VV-së që do të zhvillojë proces fer, transparent dhe sipas meritokracisë. Mbrëmë në orët e vona kandidatët janë ftuar për të ardhur sot në intervistë. Ta ftosh një person që do të shërbejë në RTK rreth orës 22:00 të natës, me u paraqit në mëngjes në intervistë, është tallje me procese demokratike”, tha Kusari.
Ajo pohoi se një kandidat favorizohet “sepse publikisht dihet që është pro-VV, dhe një tjetër përjashtohet sepse dihet që anon nga opozita”.
“Disa prej deputetëve të VV-së janë takuar në kafiteri me kandidatët për anëtarë bordi të RTK-së. Një person që bëhet anëtar bordi nuk mjafton të jetë i pavarur, ai duhet të duket i pavarur, dhe takimet me deputetë, tregojnë për pazare që janë bërë. Shqyrtimi i dosjeve është bërë sa për sy e faqe. Janë bërë të gjitha përpjekjet që të kap tërësisht, siç e ka kapur RTK-në, që kur t’i shohim lajmet sa e mrekullueshme është qeveria, sa i mrekullueshëm është Kurti, dhe çdo gjë që bën opozita ose mediat e tjera janë në lidhje me Serbinë”, shtoi ajo.








