“Në Kosovë nuk mund të flitet për korrupsion dhe krim të organizuar, sepse krimi është i institucionalizuar. Krimi i organizuar, megjithatë, ndodh jashtë strukturave shtetërore, ndërkaq, në shtetin e kapur, nuk ka më as krim të organizuar, as korrupsion, sepse ka krim të institucionalizuar”- Albin Kurti, 4 dhjetor 2018.
Realiteti i Albin Kurtit si kryeministër është pikërisht sipas përrallës së tij nga foltorja e opozitës.
Pas 6 vjetësh në pushtet, Kurti po e kompleton piramidën e tij të kapjes së shtetit.
Arriti, më në fund, ta vendosë Kryeprokurorin e dëgjueshëm e sipas shijeve të tij.
Ka shtrirë kontrollin e plotë në Agjencinë e Inteligjencës, me drejtor që takohet me komisarët politikë të Kurtit; në Policinë e Kosovës, me udhëheqje që suspendon zyrtarë vetëm pse hetojnë korrupsionin e keqpërdorimin në qeveri; në televizionin publik, përmes aktivistëve të tij të devotshëm e servilëve të tjerë që iu bashkuan rrugës; në Administratën Tatimore, me ish-kandidat për deputet; dhe në të gjitha ndërmarrjet publike, me njerëzit e partisë së tij – nga Agjencia e Privatizimit, Telekomi, Korporata Energjetike, Iber-Lepenci.
E, natyrisht, edhe Universitetin e Prishtinës, me një rektor që përkulet para tij në nivel qesharak e të bezdisshëm, duke i ndarë mirënjohje.
Pastaj, mos të flasim për diplomaci e institucione të tjera, ku niveli i dedikimit ndaj liderit është i gërditshëm.
Dhe tash i ka mbetur vetëm edhe presidenti – post për të cilin e dërgoi një herë vendin në zgjedhje, sepse i duhet një noter, që hesht ose ia miraton aktet e një shteti të kapur.
Prandaj, bërtima e tij në Kuvend për kapjen e shtetit ishte vetëm një thirrje që, në krye të kapjes, në krye të krimit të institucionalizuar, të jetë ai.








