Televizioni Klan Kosova është dënuar me 3 mijë euro nga Komisioni i Pavarur i Mediave në lidhje me një storie televizive për pushtetin aktual të Vetëvendosjes. Kështu ka bërë të ditur kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha, i cili ka cituar shefin e KPM-së, Besnik Berisha të ketë thënë se ““kronikat kryesisht kanë pasur qasje të anshme, të pabalancuara dhe të bazuara në vetëm një burim informacioni e që lidhen me pushtetin aktual”.

“Ky arsyetim, qëndrim i kryetarit Berisha dhe KPM-së është absolutisht skandaloz dhe vërtetim i kapjes së këtij institucioni nga Vetëvendosje”, ka shkruar Rexha.

Organizata të shumta të shoqërisë civile dhe gazetarëve kishin paralajmëruar për kapjen e Komisionit të Pavarur të Mediave kur në krye të tij u zgjodh Besnik Berisha e anëtare Luljeta Aliu. Berisha gjatë mandatit të tij paraprak në këtë institucion, në përpjekje për t’u avancuar sa ishte anëtar në KPM, kishte shkelur ligjin për t’u bërë kryetar i bordit, dhe Luljeta Aliu e cila ka lavdëruar dhe mbështetur Lëvizjen Vetëvendosje dhe njihet si mbështetëse e pushtetit.