Komuna e Gjilanit ka hapur aplikimin për dhënien në shfrytëzim afatgjatë të 75 hektarëve tokë publike.
Por, në materialet e dërguara për shqyrtim në Kuvend është gjetur edhe kërkesa e kompanisë “NordKos” SH.P.K., e cila synon ta marrë këtë tokë në shfrytëzim.
Sipas opozitës në Gjilan, problemi qëndron te personi kontaktues i kësaj kompanie, i cili figuron të jetë Eronit Hajdari, pjesë e kabinetit të kryetarit të Komunës së Gjilanit.
“75 hektarë tokë publike për 99 vjet nuk është një vendim që duhet të kalojë në heshtje. Më 22 qershor është propozuar që në rend dite të futet dhënia në shfrytëzim afatgjatë (99 vjet) e pronës publike. Në materialin e dërguar për Kuvend gjendet edhe kërkesa e kompanisë NordKos SH.P.K. Ajo që ngre pikëpyetje është se në dokumentacion si person kontakti figuron Eronit Hajdari, pjesë e kabinetit të kryetarit Alban Hyseni. Kjo kërkon sqarim publik. Në çfarë cilësie një zyrtar i kabinetit të kryetarit figuron në dokumentet e një kompanie private?”, ka shkruar Burhan Isufi nga PDK.
Për një proces kaq të rëndësishëm, sipas Isufit, qytetarët e Gjilanit meritojnë transparencë të plotë dhe përgjigje të qarta nga kryetari Alban Hyseni.









