Film Industry Watch (FIW), një komunitet i gazetarëve, akademikëve që shkruajnë kryesisht për menaxhimin e festivaleve dhe fondet publike për filmin kudo në botë, ia ka dedikuar një artikull Kosovës dhe mënyrës se si shpërndahen fondet publike për bërjen e filmave në Kosovë.
Sipas këtij artikulli, Qendra Kinematografike e Kosovës drejtohet kryesisht nga udhëheqësit e festivalit të filmit, DokuFest, dhe edhe shpërndarja e fondeve bëhet për ata që kanë lidhje me festivalin, njerëzit që e drejtojnë, apo në një mënyrë lidhen me projektet e DokuFest.
“Të dhënat publike tregojnë ekzistencën e një rrjeti profesional të ngushtë, ku drejtues festivalesh shfaqen njëkohësisht në role vendimmarrëse brenda QKK-së, ndërsa film-bërës të lidhur me DokuFest përfitojnë mbështetje financiare nga kjo qendër. Asgjë nga këto nuk është e pazakontë në tregje të vogla. Pyetja kryesore lidhet me transparencën: kur ndodh ndërthurja e roleve institucionale brenda një ekosistemi të financuar me fonde publike, si identifikohen, menaxhohen dhe bëhen publike konfliktet e interesit?”, shkruan FIW.
Në artikull thuhet se që prej vitit 2023, QKK ka shpallur tri thirrje për mbështetje të filmave dhe shumë prej fituesve janë të lidhur me DokuFest.
“Nën një udhëheqje të re në Qendrën Kinematografike të Kosovës, janë shpallur tre cikle madhore financimi: thirrja e Pranverës 2024, një thirrje e paprecedentë vetëm për filma artistikë në dhjetor 2024, si dhe thirrja e plotë e Pranverës 2025. Në këto cikle, të dhënat publike pasqyrojnë një konstelacion marrëdhëniesh mes vendimmarrësve të QKK-së, drejtuesve të DokuFest/DokuLab dhe një grupi përfituesish të përsëritur, bashkëpunimet, rolet trajnuese dhe lidhjet festivalore të të cilëve ndërthuren ndjeshëm”, theksohet në artikull.
FIW shkruan se asnjë prej këtyre lidhjeve nuk nënkupton keqbërje, por, thuhet aty, modelet që shfaqen ngrenë pyetje strukturore të qeverisjes – që lidhen me transparencën, përjashtimin nga vendimmarrja dhe menaxhimin e konflikteve të supozuara apo të perceptuara të interesit në financimin publik.

Më poshtë një pjesë e plotë e artikullit të FIW që flet për drejtuesit e QKK-së, lidhjen e tyre me DokuFest dhe projektet e dhëna në pjesën e madhe me ata që bashkëpunojnë me këtë festival:
Dinamika të ngjashme janë trajtuar nga FIW edhe në raportime mbi Qendrën Greke të Filmit, modelin Cannes Factory, si dhe mosmarrëveshje qeverisëse të lidhura me Londrën dhe Sundance, ku mungesa e transparencës ka sjellë dëmtim reputacional dhe ngurtësim krijues.
1. QKK dhe DokuFest/DokuLab: ndërthurje rolesh institucionale
Bazuar në publikime zyrtare të QKK-së, materiale të DokuFest/DokuLab dhe lista të programeve trajnuese, dokumentohen publikisht ndërthurjet e mëposhtme të roleve institucionale:
Eroll Bilibani
– Kryetar i Bordit të QKK-së (emëruar në vitin 2025)
– Ekzekutiv afatgjatë i DokuFest
– Drejtues i DokuLab
– Trajner në disa programe të DokuLab
– Disa film-bërës që ka trajnuar ose me të cilët ka bashkëpunuar janë përfitues në ciklet 2024–2025
Nita Deda
– Anëtare e Bordit të QKK-së (emëruar në vitin 2025)
– Drejtoreshë e DokuFest (2016–2020)
– Bashkëkuruese e DokuNights 2025 me film-bërësin Leart Rama, katër herë përfitues
– Ish-prodhuese e një filmi të shkurtër të Ramës
Blerta Zeqiri
– Drejtoreshë e QKK-së (emëruar në vitin 2023)
– Ish-lektore në DokuLab, ku disa nga film-bërësit e trajnuar janë financuar më pas nga QKK
– Mori detyrën përpara ndryshimeve rregullatore që ndikuan thirrjet 2024–2025
Veton Nurkollari
– Drejtor artistik i DokuFest
– Anëtar i Bordit të Certifikimit të Filmit në QKK
– Ish-anëtar jurie në panele të filmave artistikë të QKK-së
– Ndërthurje profesionale me disa film-bërës të financuar
Këto ndërthurje rolesh institucionale nuk nënkuptojnë shkelje. Megjithatë, siç ka theksuar FIË në raste të ngjashme që përfshijnë institucione publike të filmit, problemet shfaqen kur ndodh përqendrim rolesh pa procedura të qarta dhe të publikuara për përjashtimin nga vendimmarrja.
2. Përfitues të përsëritur gjatë 2024–2025: një grup i përqendruar
Nëpër thirrjet e Pranverës 2024, dhjetorit 2024 dhe Pranverës 2025, listat zyrtare të QKK-së tregojnë se një grup i vogël dhe i ndërlidhur film-bërësish shfaqen vazhdimisht si përfitues – shpesh në bashkëpunim me njëri-tjetrin, shpesh të lidhur me DokuFest/DokuLab dhe shpesh duke punuar me të njëjtët producentë, montazherë apo anëtarë të ekipit.
Më poshtë paraqitet një përmbledhje, bazuar në dokumente publike:
Leart Rama – regjisor/producent
– Pranverë 2024: film i shkurtër dhe post-produksion
– Dhjetor 2024: film artistik
– Pranverë 2025: dokumentar artistik
Lidhjet e dokumentuara përfshijnë përfshirjen në DokuLab si pjesëmarrës dhe më pas si lektor, bashkëpunime sezonale me DokuFest, një film të hershëm të prodhuar nga Nita Deda dhe bashkëkurimi në DokuNights 2025.
Samir Karahoda – regjisor/producent
– Pranverë 2024: zhvillim projekti
– Pranverë 2025: film artistik
– Pranverë 2025: film i shkurtër (si producent)
Ai ka shërbyer si programues i filmave të shkurtër në DokuFest dhe ka bashkëpunuar vazhdimisht me të njëjtët film-bërës dhe ekipe teknike.
Valmira Hyseni – producente
– Pranverë 2024: post-produksion
– Dhjetor 2024: film artistik
– Pranverë 2025: zhvillim skenari
E lidhur profesionalisht me Karahodën, Ramën dhe anëtarë të tjerë të të njëjtit grup prodhimi.
Ilir Hasanaj – producent/regjisor
– Pranverë 2024: dokumentar artistik
– Pranverë 2025: film artistik avangardë
Dea Gjinovci – regjisore / anëtare jurie e QKK-së
– Pranverë 2024: dokumentar artistik
Ajo ka qenë lektore në DokuLab dhe juriste në thirrjet e vitit 2025, ndërkohë që ka bashkëpunuar me disa nga film-bërësit përfitues.
Edon Rizvanolli – regjisor/producent
– Pranverë 2024: dokumentar i shkurtër
– Pranverë 2025: film artistik
Enis Saraci – montazher/regjisor
– Pranverë 2025: film i shkurtër
Ky përqendrim përfituesish ngjan me modele që FIË ka dokumentuar edhe në vende të tjera, ku rrjetet e mentorimit, platformat e festivaleve dhe financimi publik bashkohen në një sferë të vetme ndikimi, duke kufizuar diversitetin e zërave artistikë.
3. Zinxhiri institucion, përfitues, bashkëpunëtor
Dokumentet publike dhe e ashtuquajtura “Matrica e Ndërlidhjes” ilustrojnë një cikël të përsëritur: DokuLab trajnon film-bërës, shpesh të udhëhequr nga individë që më pas përfshihen në strukturat vendimmarrëse të QKK-së. Këta film-bërës aplikojnë në QKK, ku udhëheqja përfshin drejtues të DokuFest/DokuLab. Aplikuesit me lidhje të mëparshme bëhen përfitues të përsëritur, ndërsa bashkëpunëtorët e tyre përfshihen gjithashtu në ciklin e financimit. Filmat më pas mbështeten nga DokuFest.
FIW ka identifikuar dinamika të ngjashme në tregje të tjera evropiane, ku një “lak festival–trajnim–financim” krijon barriera strukturore për të jashtmit dhe ul pluralizmin krijues.
4. Postimet publike dhe perceptimi i një ekosistemi të mbyllur
Postimet publike tregojnë bashkëkurime, promovime dhe mbështetje të ndërsjella mes individëve dhe institucioneve të përfshira, si dhe paraqitje të përsëritura të të njëjtëve aktorë në premiera, laboratorë dhe ngjarje anësore.
Këto veprime nuk nënkuptojnë shkelje, por mund të dëmtojnë besimin publik edhe kur janë plotësisht të ligjshme.
5. Pyetje thelbësore të qeverisjes
Shqetësimet e ngritura janë strukturore dhe jo personale. Ato lidhen me transparencën, përjashtimin nga vendimmarrja, përqendrimin e roleve dhe mungesën e mekanizmave mbrojtës institucionalë, të cilët janë thelbësorë për besueshmërinë e financimit publik të kulturës.
6. Çfarë do ta qartësonte menjëherë situatën
FIË rekomandon publikimin e deklaratave të konfliktit të interesit, listave të jurive, regjistrave të përjashtimit, listave të plota të aplikuesve, arsyetimeve, shumave të granteve dhe kontratave të mbështetjes së festivale për secilën thirrje.
E drejta e përgjigjes dhe njoftimi ligjor
QKK, DokuFest dhe të gjithë individët e përmendur ftohen të reagojnë. Artikulli bazohet vetëm në informacion publik dhe nuk përmban akuza për veprime të paligjshme. Të gjithë aktorët supozohen të kenë vepruar në mirëbesim, përveç nëse provohet e kundërta.









