“Hakmarrje e pastër politike”, ka thënë ish-Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, për shkarkimin e Blerim Isufajt nga pozita e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK).

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka theksuar se “po i vjen erë e keqe” shkarkimit të Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, dhe kjo erë ai thekson se ka kundërmuar atëherë kur Kryeministri Albin Kurti, e kishte sulmuar nga foltorja e Kuvendit Isufajn, derisa mbronte të dyshuarit për korrupsion.

“Kjo erë ka kundërmuar keq në ditën kur Kryeministri e sulmonte Kryeprokurorin në foltoren e Parlamentit dhe mbronte të akuzuarit për korrupsion”, thekson ai.

Ish-Kryeministri potencon se “askush nuk do të mund t’i ikë drejtësisë”. “Do të vijë dita që këta që mbrohen përmes shkarkimeve do të përballen me forcën e ligjit”, shtoi.

Në këtë drejtim, Haradinaj, thekson se ky nuk është sundim i ligjit, “por hakmarrje e pastër politike ndaj kujtdo që guxon të mbrojë pavarësinë e institucioneve”.

“Kosova nuk do të lejojë që lufta kundër korrupsionit të diktohet nga zyrat e politikës dritëshkurtër!”, tha Haradinaj.

Blerim Isufaj u shkarkua nga pozita e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale në mbledhjen e jashtëzakonshme të së premtes të Këshillit Prokurorial të Kosovës, për shkak të gjoja efikasitetit të dobët të Prokurorisë që ai e udhëhiqte.

Që nga koha kur Albin Kurti e ka marrë pushtetin, ai dhe vartësit e tij vazhdimisht e kanë sulmuar Isufajn.