Raportuesi i Parlamentit Evropian për Kosovën, Riho Terras, ka thënë se pjesëmarrja e ulët e qytetarëve në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit tregon se qytetarët janë të frustruar nga kaosi politik.
“Pjesëmarrja e ulët në zgjedhjet e parakohshme në Kosovë tregon se qytetarët janë të frustruar nga kaosi politik”, shkroi Terras në X.
Ai theksoi se “nevojitet bashkëpunim ndërpartiak për ta rikthyer vendin në rrugën e duhur dhe për ta çuar përpara drejt kursit evropian BE”.
Në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit, ishin 183 mijë e 905 votues më pak se në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Kur janë numëruar 100 për qind e votave – pa përfshirë ato me kusht dhe të diasporës – Lëvizja Vetëvendosje është renditur partia e parë me 42.91 për qind të votave.
E dyta renditet Partia Demokratike e Kosovës me 21.12 për qind. E treta Lidhja Demokratike e Kosovës me 17.58 për qind, ndërsa e katërta Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7.16 për qind.









