Ish-nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, i ka quajtur “plotësisht legjitime dhe të drejta” kërkesat për dorëeheqjen e kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku. Sipas Veliut, “ato burojnë nga fakti se ai mori përsipër meritat për çdo sukses të pretenduar, prandaj duhet të marrë përsipër edhe përgjegjësinë për dështimin”.

Në një postim në profilin e tij zyrtar në Facebook, Veliu thotë se nën drejtimin e Abdixhikut, “LDK ka mbetur e ngujuar në vendin e tretë”, siç thotë ai “pa arritur të rikthehet si alternativë serioze për pushtet”.

Për Veliun, shqetësues është reagimi i Abdixhikut ndaj kryetarëve të Lipjanit, Pejës dhe degëve në Prishtinë që kërkuan dorëheqjen e tij.

“Duke u sjellë si pronar partie e jo si kryetar i zgjedhur, Abdixhiku po dërgon mesazhin se në LDK ndëshkohen ata që kërkojnë llogaridhënie, jo ata që dështojnë”, shkroi Veliu.

Lidhja Demokratike e Kosovës doli e treta në zgjedhjet e 7 qershorit duke fituar vetëm 16.69 për qind të votave.

Degët e kësaj partie në Lipjan e Pejë, komuna ku ky subjekt politik qeveris, kanë kërkuar dorëheqjen e Abdixhikut nga pozita e kryetarit.