Ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun e tij kroat, Gordan Grlić Radman, lidhur me pritjet e gjata të qytetarëve të Kosovës dhe diasporës në pikat kufitare të Kroacisë.

Konjufca ka thënë se gjatë bisedës ka shprehur shqetësimin për vështirësitë që këto pritje po u shkaktojnë qytetarëve, sidomos gjatë sezonit veror kur fluksi i udhëtarëve është rritur.

Sipas tij, ministri kroat është zotuar se do ta adresojë këtë çështje me autoritetet kompetente në Kroaci, me qëllim të gjetjes së mundësive për lehtësimin e qarkullimit dhe uljen e kohës së pritjes në kufi.

“Shpreha shqetësimin tim për vështirësitë që këto pritje po u shkaktojnë qytetarëve tanë në kulmin e sezonit veror. Ministri Grlić Radman më njoftoi se do ta trajtojë këtë çështje me autoritetet kompetente kroate”, ka shkruar Konjufca.