Rozeta Hajdari nuk është më Ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), por ajo e ka lënë Ministrinë në një katrahurë totale me fatura të paguara pa pranim të raporteve të punës, me fatura të paguara nga dy herë për të njëjtën çështje, pagesa shtesë nga buxheti i shtetit e kontekste gjyqësore me operatorët ekonomikë që kanë qenë të kontraktuar për ndërtimin e parqeve industriale.

Të gjitha këto janë gjetur në Raportin e Auditimit për pasqyrat financiare të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për vitin 2025. Sipas auditorit, Ministria ka pranuar dhe protokolluar fatura në vlera qindra mijëra euro pa raportet e pranimit të punëve, ndonëse kjo kërkohet me rregulloret financiare.

Një nga rastet që është evidentuar në raportin e auditorit, ka të bëjë me kontratën për ndërtimin e infrastrukturës në Parkun Industrial në Drenas. Aty thuhet se MINT, përmes menaxherit të kontratës, më 9 dhjetor 2025, kishte pranuar dhe protokolluar faturën në vlerë 170 mijë e 284 euro për situacionin IV të punimeve pa raport të pranimit të punëve.

“Për më tutje, për këtë kontratë MINT më 13 tetor 2025 kishte pranuar një vendim nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit që kërkonte anulimin të kësaj kontrate. Kontrata nuk ishte anuluar pasi MINT kishte ushtruar padi në gjykatë për vendosjen e masës së sigurisë dhe pezullimin e vendimit”

“Kërkesa e ministrisë për pezullim të ekzekutimit të këtij vendimi (vendosje e masës së sigurisë), ishte refuzuar edhe nga Gjykata Themelore dhe e Apelit. Kontesti në lidhje me këtë kontratë ende vazhdon deri sa ne ishim në auditim (prill 2026)”, thuhet në raport.

Një tjetër rast ka të bëjë me Parkun Industrial në Opterushë, ku Ministria kishte pranuar faturë prej 28 mijë e 57 eurosh pa raport pranimi.

Megjithatë, ministria më vonë kishte shkëputur kontratën me operatorin ekonomik dhe, sipas raportit përfundimtar të saj, kishte konstatuar se kompania i detyrohej ministrisë 14 mijë e 49 euro. Edhe ky rast ka përfunduar në gjykatë.

Auditori evidenton se ministria humbi një kontest gjyqësor lidhur me projektin e Parkut Industrial në Budrigë.

Për shkak të menaxhimit jo të mirë të procesit të pranimit të faturave, MINT u detyrua të paguante 130 mijë e 177 euro, megjithëse fatura fillestare kishte qenë 112 mijë e 226 euro.

Sipas auditorit, diferenca prej 17 mijë e 951 eurosh përfaqëson interesa dhe shpenzime gjyqësore që ranë mbi buxhetin e shtetit.

Raporti zbulon gjithashtu se ministria kishte paguar dy herë të njëjtën faturë për kontratën “Vetura me qira”.

Fillimisht pagesa prej 706 eurosh ishte ekzekutuar përmes përmbaruesit, ndërsa më pas e njëjta faturë ishte paguar edhe nga Thesari. Edhe pse ministria kishte njoftuar Thesarin, deri në kohën e auditimit nuk ishin ndërmarrë veprime për kthimin e mjeteve.

“Për kontratën ‘Vetura me qira’, përmes urdhrit përmbarimor Ministria kishte ekzekutuar pagesën e një fature në vlerë 706 euro (përfshirë shpenzimet e interesit). E njëjta faturë ishte ekzekutuar më pas edhe nga Thesari. Ministria kishte njoftuar Thesarin për këtë rast, por ende nuk ishin ndërmarrë masa për kthim të mjeteve nga operatori ekonomik”, thuhet në raport.

Kjo situatë, sipas auditorit, është rezultat i mungesës së kontrolleve efektive në procesin e pranimit të faturave. “Pranimi dhe protokolimi të faturave pa dokumentacion mbështetës, dhe mungesa e komunikimit të duhur në mes departamenteve po shkakton konteste të vazhdueshme gjyqësore”, thuhet aty.

Auditori konstaton se këto mangësi kanë rezultuar “në kosto shtesë për buxhetin e Ministrisë, konteste në proces si dhe rritje të mundësisë potenciale për konteste të reja gjyqësore me operatorët ekonomikë”.

Për këtë arsye, ministrisë i është rekomanduar që të forcojë kontrollet e brendshme “duke siguruar që çdo faturë të pranohet dhe procedohet vetëm pas pranimit formal të punëve dhe dokumentimit përkatës, të shmangë njohjen e obligimeve të pabazuara, si dhe të ndërmarrë masa për rikthimin e mjeteve të paguara gabimisht dy herë”.

Përgjigja e Ministrisë ka qenë që pajtohen me këto rekomandime dhe gjetje.