Në Serbi janë duke u zhvilluar protesta anembanë shtetit kundër Qeverisë. Të enjten, situata në Beograd ka qenë mjaft e tensionuar, ku policia serbe ka hedhur gaz lotsjellës, mjete piroteknike e mjete të tjera në drejtim të protestuesve.
Policia serbe ndërhyri për t’i shpërndarë protestuesit afër ndërtesës së Shtabit të Përgjithshëm në Beograd dhe nga hapësira pranë zyrave të Partisë Progresive Serbe (SNS) – partia e Aleksandër Vuçiç-it – në kryeqytetin serb.
Përveç protestuesve anti-qeveritar, kanë dalur edhe një grup mbështetësish të pushtetit të Vuçiç-it, të cilët kanë sulmuar qytetarët protestues. Pjesa dërrmuese e tyre, siç raportojnë mediat serbe, janë të maskuar dhe me shkopinj.
Ata kanë sulmuar edhe deputetin e Partisë për Liri dhe Drejtësi, Peda Mitroviç, me shufra hekuri, duke i shkaktuar lëndime trupore.

Incidente janë shënuar edhe në Novi Sad. Aty protestuesit kanë demoluar selinë e SNS-së. Më pas, ka ndërhyrë policia për t’i shpërndarë protestuesit, të cilët në disa raste kanë rezistuar duke u përleshur me ta.

Në lidhje me sulmet mbi selinë e SNS-së ka reaguar edhe Presidenti serb Vuçiç. Ai dënoi prishjen e ambienteve të partisë dhe tha se të gjithë ata që ishin të dhunshëm do të mbahen përgjegjës.
“Është mirë që nuk kishte anëtarë të Partisë Progresive Serbe në ambientet e ndërtesës”, tha Vuçiç, transmetojnë mediat serbe. Ai ka pretenduar se këto protesta e kanë burimin jashtë Serbisë.
Mediat serbe kanë raportuar se një numër i madh i protestuesve janë arrestuar dhe një pjesë e konsiderueshme kanë marrë plagë nga ndërhyrjet e dhunshme të policisë.
Protestat janë duke u thirrur nga studentët, të cilët tash e tetë muaj po bllokojnë institucionet arsimore dhe po protestojnë në rrugë.
Kërkesa kryesore e tyre është që të merret përgjegjësi politike dhe penale për vdekjen e 16 personave nga shembja e strehës në Stacionin Hekurudhor në Novi Sad.









