Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka thënë se ky është një kaos i programuar nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili “nuk e do krijesën që e udhëheq, e që është Republika e pavarur e lirë dhe demokratike e Kosovës”.

“Ky nuk i do as njerëzit që e duan e që e votojnë. Ndërsa, tjerët i urren. Por Kosova jonë nuk do të shkatërrohet. Do t’i mbijetojë edhe kësaj krize. Do ta mbijetojë edhe Kurtin dhe kastën e tij të keqbërësve”, shkroi Gjini në Facebook, pas situatës së krijuar ku Policia po i hedh gaz lotsjellës protestuesve.

Kurti mbase është i vetmi politikan shqiptar, siç thotë ai, “që me çdo qelizë të trurit e trupit të tij e ka dashur këtë gjykatë”.

“Mosvotimi i gjykatës nga ana e Vetëvendosjes në vitin 2015 ka qenë oportunizëm i pastër e jo bindje e ndonjë natyre. Po që kanë qenë të bindur se partitë në pushtetin e atëhershëm do ta votojnë. Prandaj vet abstenuan.  Në fakt, Gjykata Speciale është thelbi i arsyes se pse Kurti është në pushtet”.

Që prej qershorit, ai tha se Aleanca ka paralajmëruar se Kurti do prapë zgjedhje, duke theksuar se “i ka mbyllur vet të gjitha opsionet për të dalur nga bllokada politike”.

“Nuk e ka marrë parasysh ofertën e Aleancës, e ka poshtëruar me plot qëllim Lidhjen Demokratike dhe së fundi luajti me Partinë Demokratike”.

“Përndryshe nuk do kishte pritur deri sot për ta votuar në parim ligjin. Do ta kishte bërë më herët. Përndryshe nuk do t’i fuste 22 projektligje në procedurë të përshpejtuar sot. Përndryshe nuk do ta kushtëzonte fare votimin e ligjit për Gjykatën Speciale me votimin e presidentit”.

“Nëse vërtet dëshironte t’i shmangte zgjedhjet, win-win ka pasur. Por nuk deshi. Që prej qershorit lojën e fajësimit e ka luajtur. Mund t’iu them se iu kemi paralajmëruar. E tash?”.

“Shohim gaz lotsjellës e krisma në sheshin kryesor të kryeqytetit, kundër vlerave tona të lirisë. Po nesër? Vetëvendosje e pyet Gjykatën Kushtetuese nëse Albulena mund t’i shpall zgjedhjet”.