Ish-deputeti Gani Geci e ka pranuar fajësinë në lidhje me kanosjen e gazetarit Lirim Mehmetaj.
Kështu ka njoftuar avokati i tij, Besnik Berisha. “Ne orën 13:16, procedura përfundoi me pranimin e përgjegjësisë penale dhe propozimin për marrëveshje mbi pranimin e fajësisë”, shkroi Berisha në Facebook.
Geci u lirua nga paraburgimi të premten, pas intervistimit nga Prokuroria e Shtetit.
Gani Geci u ndalua nga Policia më 13 tetor.
Më 14 tetor, Gjykata Themelore ia caktoi masën e paraburgimit prej 30 ditësh. Masë që iu konfirmua edhe nga Apeli.
Geci e kishte kanosur gazetarin Mehmetaj në zyrat e mediumit VOX Kosova.
Ai i kishte kërkuar që ta fshinte ose ndryshonte postimin e bërë në Facebook për deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatos Geci.
Por, gazetari Mehmetaj nuk kishte pranuar.









