Kroacia nuk do t’i bashkohet Bordit të Paqes të themeluar nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.

Kështu ka bërë të ditur Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç, të mërkurën.

“Duhet të them se qëndrimi i Qeverisë është që Kroacia, në këtë moment, të mos i bashkohet Bordit të Paqes për një sërë arsyesh”, tha Plenkoviç, raporton media kroate “Index”.

Ai theksoi se këtë ia ka komunikuar Presidentit kroat, Zoran Milanoviç, përmes një bisede telefonike.

“Ai tha se këtë qëndrim e ka komunikuar sot publikisht dhe nuk kam çfarë të shtoj më tej”, shtoi Plenkoviç.

Menjëherë pas kësaj deklarate të Plenkoviç-it, reagoi edhe zyra e Milanoviç-it, ku e shprehën qëndrimin e presidentit që Kroacia, përkundër ftesës nga Trump, të mos i bashkohet Bordit të Paqes.

“Presidenti Milanoviç ia përcolli qëndrimin e tij, të cilin e ka shprehur sot publikisht, se iniciativa e presidentit amerikan Donald Trump është juridikisht e bazuar në Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Edhe pse duhet përshëndetur çdo iniciativë që kontribuon në paqen në Lindjen e Mesme, qëndrimi i presidentit Milanoviç është se Republika e Kroacisë nuk duhet të marrë pjesë në Bordin e Paqes, gjë që ia ka komunikuar edhe kryeministrit të Republikës së Kroacisë”, thuhet në njoftimin e presidencës kroate.

Më 22 janar, në Davos të Zvicrës, u themelua Bordi i Paqes. Nga Ballkani Perëndimor, shteti i vetëm si anëtare themeluese ishte Kosova, që u përfaqësua nga Presidentja Vjosa Osmani.

Në ceremoninë e themelimit të Bordit të Paqes morën pjesë 19 shtete: Argjentina, Armenia, Bullgaria, Bahrejni, Azerbajxhani, Hungaria, Indonezia, Jordania, Kazakistani, Katari, Kosova, Maroku, Pakistan, Paraguai, Arabia Saudite, Turqia, Emiratet e Bashkuara Arabe, Uzbekistan dhe Mongolia.

Pjesë e këtij bordi do të bëhet edhe Shqipëria, e cila ka marrë ftesë nga Trump dhe ka bërë të ditur se do t’i bashkohen këtij mekanizmi.