Lëvizja Vetëvendosje ka mbledhur grupin e vet parlamentar pas deklarimit të fundit të LDK-së, e cila njoftoi se nuk i ka votat për kandidatin për President, Bekim Sejdiu.
Kryeministri në detyrë dhe kryetari i LVV-së, Albin Kurti, duke hyrë në atë mbledhje, ka folur shkurt para mediave, ku tha se: “Vullnetin për zgjedhjen e presidentit e kemi shndërruar në marrëveshje me LDK-në, me emrin e përveçëm të profesor Bekim Sejdiut. Mbrëmë kemi pasur takim në VV me kryesinë, tash po shkoj në mbledhjen e Grupit Parlamentar e më pas do të mund të ju drejtohem”.
Para këtij takimi u deklarua edhe shefja e Grupit Parlamentar, Arbërie Nagavci, e cila tha se refuzimi i një propozimi që synon shmangien e zgjedhjeve të reja dhe konsolidimin e institucioneve nuk është vendim i duhur dhe nuk është në interes të qytetarëve.









