Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sipas një analize të gazetës gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ), nuk e gëzon mbështetjen e plotë të deputetëve të Kuvendit të Kosovës për një mandat të dytë. Për këtë arsye, ajo po përpiqet ta paraqesë veten si “kandidatja” e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.
Kështu thuhet në artikullin e gazetarit gjerman Michael Martens, i publikuar këtë të mërkurë në FAZ, ku analizohet strategjia politike e Osmanit në prag të përpjekjeve për rizgjedhje.
“Osmani po e luan lojën e saj. Ajo synon një mandat të dytë dhe për këtë i nevojitet mbështetja e Parlamentit të Kosovës, deputetët e të cilit e zgjedhin kreun e shtetit. Por këtë mbështetje nuk e ka. Osmani prej javësh po përpiqet të paraqitet si ‘kandidatja e Trumpit’. Kalkulimi është ky: SHBA-ja për Kosovën – jo vetëm përmes bazës ushtarake Bondsteel në jug të vendit, por përmes gjithë historisë së shtetit të ri – është një faktor aq i rëndësishëm, sa që ky etiketim mund t’ia sigurojë rizgjedhjen përndryshe tejet të pasigurt”, thuhet në artikullin e FAZ-it.
Në shkrimin e tij, gazetari Michael Martens vë në dukje se Osmani, përmes afrimit me familjen e Donald Trumpit, po përpiqet të krijojë perceptimin e një mbështetjeje amerikane që do ta ndihmonte në sigurimin e një mandati të dytë si presidente e Kosovës.
“Por kalkulimi i saj mund të dështojë – edhe pse ajo arriti që Kosovën ta bëjë një nga shtetet që së fundmi në Davos iu bashkuan ‘Bordit të Paqes’ enigmatik të Donald Trumpit”, ka shkruar FAZ.

“Osmani u shfaq në Zvicër me krenari krah presidentit amerikan dhe që atëherë flet për arritjen e madhe që, sipas saj, përfaqëson fakti se vendi i saj u bë anëtare themeluese e këtij formacioni”.
Sipas FAZ-it, një bashkëbisedues i mirëinformuar në Prishtinë ka deklaruar se Osmani në mënyrë indirekte, po e përdor emrin e Trumpit si formë presioni politik.
“Kërcënimi është: ‘Nëse nuk më rizgjidhni presidente, do të keni telashe me SHBA-në’”, ka shkruar FAZ. “Disa vite më parë një kalkulim i tillë edhe mund të kishte funksionuar”.
Gazeta gjermane thekson se ndonëse Kosova konsiderohet shteti më pro-amerikan në botë, edhe në Prishtinë është vërejtur se Uashingtoni i Donald Trumpit nuk është më ai i epokës së Bill Clintonit dhe George Ë. Bushit.
Si dëshmi se “karta amerikane” nuk garanton domosdoshmërisht sukses politik, FAZ përmend fitoren e Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit, ku kjo parti fitoi 51.1 për qind të votave.
“Fitorja është edhe rezultat i mbështetjes së fortë nga kosovarët e shumtë që jetojnë jashtë vendit, por kjo nuk ishte arsyeja e vetme që vendosi”, ka shkruar FAZ.
“Dominimi i ‘Vetëvendosjes’ është i veçantë edhe për faktin se marrëdhëniet e Kurtit me Trumpin nuk janë të mira. Kurti e ka mbështetur hapur Joe Bidenin gjatë fushatës zgjedhore në SHBA dhe në vitin 2024 kishte marrë pjesë në mënyrë demonstrative në konventën e Partisë Demokratike në Chicago. Pas fitores së Trumpit, kjo ishte gjithçka tjetër veçse e dobishme për Kosovën”.









