Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për Kryetar të Prishtinës, Hajrulla Çeku, ka votuar në qendrën e votimit në Fakultetin Filologjik.
Çeku, pas votimit, ka thënë se dita e zgjedhjeve duhet të jetë ditë feste dhe ka shtuar se beson se kjo ditë do të jetë e tillë.
“Pas një fushate të qetë dhe përgjithësisht konstruktive, që realisht u përmbyll në mënyrën më të mirë e më të bukur me fitoren e jashtëzakonshme të Shqipërisë mbrëmë në futboll, sot jemi këtu për ta ushtruar të drejtën tonë demokratike, të cilën duhet ta bëjmë të gjithë qytetarët pa dallim deri në fund të ditës, kur mbyllen të gjitha vendvotimet. Sepse sot ne, bashkërisht si qytetarë, përcaktojmë katërvjeçarin e ardhshëm – drejtimin e qytetit dhe të komunës sonë”, deklaroi ai.
Kandidati i VV-së për Kryetar të Prishtinës uroi që gjithçka të shkojë mbarë e mirë dhe që përfundimi të jetë i mirë për të gjithë qytetarët e kryeqytetit.
Procesi i votimin për Çekun nuk shkoi edhe aq mirë, pasi që u nervozua me gazetaren e cila e pyeti se pse është vonuar për të votuar në orarin që e kishte paralajmëruar.
“Unë mendoj që keni pasur mjaftueshëm kohë gjatë gjithë fushatës për qasje të tillë. Sot duhet të jemi korrekt ndaj njëri-tjetrit, sepse jemi në ditë të zgjedhjeve”, theksoi ai.








