Kandidati për Kryetar të Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka thënë se nëse merr besimin e delegatëve të partisë për t’u zgjedhur kryetar do të ishte nderi i tij jetësor.

“Është nderi im jetësor dhe përgjegjësi e ime e madhe që nëse kam përkrahjen të jem kryetar i juaj. Besimin tuaj do ta nderoj me të gjithë qenien time dhe për rrugëtim ju garantoj përkushtim, respekt, sinqeritet”, tha Hamza.

Ai kërkoi që të dalin nga salla ku po mbahet Konventa e PDK-së “më të fortë, më të vendosur dhe më të bashkuar – si një trup i vetëm”. “Sepse nuk ka humbës, por vetëm fitues dhe fitues është PDK-ja dhe demokracia jonë”.

“Ne jemi PDK-ja, jemi guximi, jemi shpresa. Së bashku do të fitojmë për qytetarët, për të ardhmen e Kosovës”, shtoi.

Deri më tani, Hamza është kandidati i vetëm për Kryetar të PDK-së.

Në historinë e saj, PDK-ja ka pasur tre kryetarë dhe një ushtrues detyre. Kjo parti, që nga themelimi e deri në vitin 2016 ishte udhëhequr nga Hashim Thaçi. Ai kishte dhënë dorëheqje pasi që ishte zgjedhur President i Kosovës.

Thaçin e kishte pasuar Kadri Veseli, i cili kishte drejtuar PDK-në deri në nëntor të vitit 2020. Ai kishte dhënë dorëheqje për shkak se i ishte ngritur aktakuzë për krime të pretenduara lufte nga Gjykata Speciale.

Si ushtrues detyre i Kryetarit të PDK-së ishte caktuar Enver Hoxhaj. Ai kishte qëndruar në këtë pozitë për disa muaj.

Më pas, si Kryetar, më 3 korrik 2021, ishte zgjedhur Memli Krasniqi. Ai ishte rikonfirmuar si Kryetar i PDK-së më 21 qershor të vitit 2025, në Konventën e Përgjithshme të PDK-së, të njëmbëdhjetën me radhë.

Si Kryetar i PDK-së, Krasniqi ka qenë për plot 4 vjet e katër muaj.