Në një reagim të fortë ndaj pretendimeve të Shkëlzen Gashit, Fondi për të Drejtën Humanitare i Natasha Kandiç ka kritikuar mënyrën se si janë paraqitur krimet në ekspozitën “Masakrat në Kosovë 1998–1999”.
Në komunikatën e këtij fondi thuhet se shumë nga të dhënat nuk përputhen me faktet e vërtetuara në gjykatë dhe tregojnë një mungesë elementare të njohurive mbi të drejtën ndërkombëtare humanitare.
Komunikata për media sqaron se “në Burgun e Dubravës nuk janë vrarë ‘persona të armatosur’, siç paraqitet në tabelën e ekspozitës. Të vrarët ishin të burgosur shqiptarë… Ata ishin persona të privuar nga liria dhe nën kontroll të plotë të autoriteteve serbe, pra persona të mbrojtur sipas Konventave të Gjenevës”. Aty thuhet edhe se gabime të ngjashme janë bërë edhe për rastin e Mejës, ku viktimat ishin të paarmatosur dhe nën kontroll të forcave serbe në momentin e vrasjes.
Fondi për të Drejtën Humanitare potencon gjithashtu se organizatorët e ekspozitës nuk kanë respektuar faktet e gjykatës për Reçakun, duke përzier vrasjet e luftëtarëve me ato të civilëve.
“Është gabim dhe joprofesionale të nxirret përfundimi se një person është vrarë si luftëtar vetëm sepse ka qenë më parë pjesëtar i UÇK-së,” thuhet në komunkate, duke theksuar dallimin thelbësor midis statusit të mëparshëm dhe rrethanave të vdekjes.
Fondi ka kritikuar gjithashtu edhe përpjekjet e Shkëlzen Gashit për të zhvendosur përgjegjësinë te Fondi për të Drejtën Humanitare.
Sipas tyre, kjo është “një përpjekje për të diskredituar bazën më të besueshme të të dhënave për viktimat e luftës në Kosovë”, e cila dokumenton mbi 8.500 viktima civile dhe është vlerësuar nga ekspertë ndërkombëtarë si më e plotë dhe më e besueshme.
Në përfundim, kërkohet që ekspozita të tërhiqet nga hapësira publike, duke theksuar se “paraqitja e pasaktë e fakteve nuk kontribuon në kulturën e kujtesës, por e dëmton atë, relativizon krimet dhe cenon seriozisht dinjitetin e viktimave dhe familjeve të tyre”.









