Pas mohimit fillestar nga Policia kur VOX Kosova raportoi ekskluzivisht për gjendjen e mjerueshme e kushtet e tmerrshme të Kampit të Policisë Speciale “Enver Zymeri” në Mitrovicë, tashmë gjërat kanë ndryshuar.

Policia e Kosovës tash ka konfirmuar se raportimi ishte i saktë dhe për këtë arsye ka shpallur tender për renovime në këtë qendër trajnimi e banimi të policëve të Kosovës.

Siç ju kujtohet, fillimisht e mohuan, ndërsa raportimin hulumtues e quajtën manipulim, por tashmë procedura e tenderimit është hapur dhe vlera e parashikuar për materiale ndërtimi e renovimi është 15 mijë e 927 euro.

Materiali që kërkohet nga Policia e Kosovës përmes këtij tenderi është kryesisht ai që VOX Kosova kishte shfaqur si problematik dhe në gjendje të rëndë në kampin e specialëve të Kosovës.

Tenderi është hapur më 11 maj dhe kompanitë kanë të drejtë të aplikojnë deri më 22 maj të këtij viti.

Ministria e Punëve të Brendshme, e udhëhequr nga Xhelal Sveçla, e cila për tri vite me radhë ka planifikuar nga 1 deri në 6 milionë euro për ndërtimin e plotë të kampit, nuk është deklaruar asnjëherë për këtë gjendje dhe për mosrealizimin e premtimeve të saj.

Por, te këta kontejnerë që ndodhen në Mitrovicë që nga paslufta, problemi nuk qëndron vetëm te materiali për të cilin Policia ka hapur tender, por te vetë gjendja e tyre, pasi konsiderohen kancerogjenë, madje edhe nga vetë akterë të pushtetit.

Nëse kushtet janë kaq të rrezikshme prej vitesh, pse institucionet reaguan vetëm pasi gjendja u bë publike përmes raportimeve mediale?

Ky është edhe një rast që tregon fuqinë e gazetarisë, kur institucionet heshtin, raportimi publik mund të detyrojë reagim dhe veprim konkret.