“Ndërprerje e përkohshme e veprimtarisë”

Tashmë, edhe me dokumentin e lëshuar nga Inspektorati Sanitar, që vepron në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë, është faktuar se hapësirat ku punojnë Njësitë Speciale të Policisë në Kampin “Enver Zymeri” nuk i përmbushin kushtet e duhura që këta zyrtarë shtetërorë të veprojnë aty.

Këto hapësira janë cilësuar si të padenja për përdorim, ashtu siç ka raportuar edhe VOX Kosova.

Inspektimi nga institucioni relevant ka nisur që nga java e kaluar, por zyrtarisht ata janë mbyllur në mënyrë hermetike, pasi ende nuk ka asnjë njoftim publik.

Prandaj, VOX Kosova i është drejtuar me një kërkesë, në bazë të Ligjit për Qasje në Dokumente Publike, për të parë në detaje procesverbalin e inspektorëve në terren.
Deri në këtë moment, këto dokumente nuk na janë përcjellë.

Kujtojmë se Policia e Kosovës, raportimet tona, të cilat tashmë kanë nxitur edhe veprime konkrete institucionale, fillimisht i kishte cilësuar si manipulime.

Tani është momenti i tyre të na tregojnë: Kush kë po e manipulon?