Jo veç kundërshtarët e tij politikë. Edhe vetë përkrahësit e Albin Kurtit, nuk njohin një tjetër politikan në Kosovë që i ka ndryshuar aq shpesh qëndrimet.
Në pamundësi për të gjetur një argument mbulues për lëvizjen e vazhdueshme nëpër pozicione, Albin Kurti, i ballafaquar me këto ndryshime, filloi të ankohej, sa herë ballafaqohej me vetën e tij paraprake, duke thënë po mi çkontekstualizoni deklaratat.
Edhe tash, kur Albin Kurti thotë mos lësho pe. Nuk është realiteti i tij, por mungesa e këtij realiteti.
E panevojshme këtu të përsëritëm për ndryshimet kapitale që Kurti i ka bërë gjatë rrugëtimit politik, siç është ai i bashkimit kombëtar, kur deklaronte se lehtësisht “e ndryshojmë kushtetutën, e heqim nenin 1.3 dhe mënyrë paqësore dhe demokratike i bashkohemi Shqipërisë, si hapi parë drejt bashkimit kombëtar shqiptar”, mos dialogimi me Serbinë pa njohje, sepse duhen “pesë lloje të kushteve që Kosova duhet me ia paraqitë Serbisë”, e deri te mashtrimi i nënave të të pagjeturve për fushatë elektorale të cilave iu premtonte se Serbia “duhet të kushtëzohet në këtë çështje”.
Madje, e kobshme, morbide, është edhe fotografia e tij me Nënën Ferdonije, simbolin e durimit, të cilën e zëvendësoi me një pamje të padurushme të tij me Aleksandër Vuçiç-in.
I njëjti njëri, në njërën anë darkë me nënën që vuan, në anën tjetër darkë me shkaktarin e këtyre vuajtjeve.
Po ky është njeri që lëshon pe për gjithçka dhe derisa një kohë ia rikujtonim rrenat e mëdha si opozitar e veprimet e kundërta si politikan, tash kemi material të mjaftueshëm për ta dëshmuar burracakërinë e tij edhe veç gjatë periudhës si kryeministër.
Ja për shembull çështjen e hapjes së Urës mbi Lumin Ibër.
Një herë tha:
”Ura mbi lumin Ibër është dashur të hapet atëherë kur është çliruar Kosova, para 25 viteve…”.
Këtu Kurti shtron terrenin për të argumentuar se çfarë gabimi është bërë që ura qëndroi e mbyllur për kaq shumë kohë, duke treguar se ajo duhej të ishte e hapur qysh atëherë.
Më vonë, tha “qeveria jonë është e gatshme që ta bëjë hapjen”.
Këtu veçse qartëson se është çështje kohe hapja.
Më pas e konfirmon se “ura aktuale do të hapet po ashtu”.
Pra gjithçka gati për ta hapur, apo jo?
Por, mjafton një vërejtje e lehtë dhe Kurti si një kameleon i dëshmuar jo që nuk e hap urën, por tash thotë “unë kam thënë që duhet të hapet jo do të hapet”… “nuk e di a kam thënë ndonjëherë do ta hapi”.
Hëë pra?
Nga argumentimi se duhet të hapet, në zotimin se do ta hapë, te “nuk kam thënë që do të hapet”.
Ku është mbajtja e penit këtu?
Por, ky nuk është një përjashtim në botën e Kurtit, ky është rregulli.
A e mbani mend afatin që Qeveria pati caktuar për targat ilegale të Serbisë në Kosovë?
Fillimisht afati që të bëhej kalimi nga targat ilegale të lëshuara nga Serbia në targa RKS, pra Republika e Kosovës, u shtye me 31 korriku për 1 nëntor.
Përkundër kërkesave amerikane që Kurti të mos merrej me këtë çështje të parëndësishme, por të fokusohej në dialog, Kurti “nuk lëshonte pe”.
Afati erdhi.
Por, vetëm 2-3 ditë para 1 nëntorit, Kurti ndërmerr zbythjen e radhës.
Nga masa për konfiskim të këtyre targave, ai thotë se njëherë po shkon me përshkallëzim.
Erdhi edhe 21 nëntori.
Të nesërmen duhej të fillonte gjobitja i veturave me targa ilegale.
A ndodhi?
Jo.
Në 12 të natës, Ambasada Amerikane publikon letër ku thotë se i kërkon qeverisë së Kosovës ta shtyjë edhe për 48 orë deri të gjendet një zgjidhje, zgjidhje në të cilën Kosova as s’merrte më pjesë.
Dhe Kurti që “nuk lëshon pe”, pasi kishte acaruar nervat e të gjithëve, gati në 1 pas mesnate shkruan “e pranoj kërkesën për shtyrje”.
Më vonë, në një moment mes budallakut, arrogancës e krekosjes, Vjosa Osmani do ta zbulonte se në fakt ishte Kosova që kishte kërkuar nga Ambasada, që ata të kërkonin nga Kosova që ta shtynte afatin.
Kështu Albin Kurti do të poshtërohej edhe një herë tjetër dhe në presionin e një përgjigje, përse lëshoj pe për targat, ai, në një intervistë për gazetarin gjerman, Michael Martens, tha se ““Ambasadori amerikan kishte më shumë informacione se unë për situatën në veri”.
A mos vallë po mendoni se lëshimet pe të Kurtit përfundojnë me kaq.
Normalisht që jo.
Një nga më banalet e më të freskëtat është qëndrimi për Listën Serbe.
Nga qëndrimi se “ka qenë bindja ime që Lista Serbe nuk është dashur fare të certifikohet” te vetëm pak muaj më vonë në “Lista serbe është parti politike”.
Pak a shumë, i gjithë aktiviteti i Albin Kurtit është drejtëz e gjatë që tregon distancën mes fjalëve dhe veprimeve e më pas e gjithë energjia shkon në racionalizim të dështimit, duke fajësuar rrethanat për ta mbajtur egon të paprekur, të paktën publikisht.
Albin Kurti është një frikacak që më së miri shpjegohet me Formacionin reaktiv të Sigmund Frojdit.
Pikërisht se lëshon pe Albin Kurti, sepse e ka bërë gjithë jetën e tij, ai mundohet ta shndërrojë në sjellje të kundërt.
Në librin “Ndalime, Simptoma dhe Ankth” ku Frojdi e shtjellon Formacionin Reaktiv ai shkruan se
“Mund të thuhet se ai impuls është shtypur nga procesi i transformimit në të kundërtën e tij”.
Pra, atij frika për të qëndruar nuk i zhduket, por veç i shfaqet si sjellje e kundërt në publik.
Sllogani mos lësho pe është domosdoshmëri e Kurtit për ta mbrojtur egon nga impulsi i tij i vërtetë, sa herë bëhet vështirë, sikur në luftë për shembull, që e rroku impulsi i tij origjinal dhe në vend të dilte me shokët në mal për ta luftuar armikun, u kthy në banesën e tij për t’u fshehur në dollap.








