Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka deklaruar se qëndrimi i partisë për kandidatin për president të Kosovës mbetet i pandryshuar.
I pyetur nëse Vjosa Osmani vazhdon të jetë emri i propozuar nga LDK-ja për këtë pozitë, Haziri tha se “asgjë nuk ka ndryshuar”.
Deklarata e tij u bë në një konferencë për media, në orët e fundit të afatit kushtetues për konstituimin e legjislaturës së 11-të të Kuvendit të Kosovës.
Haziri tha se gjatë negociatave me Lëvizjen Vetëvendosje, LDK-ja ka kërkuar atë që e cilësoi si “balancë institucionale”, duke mohuar se partia e tij po kërkon institucione vetëm për vete.
“S’kemi marrë institucione vetëm për vete. S’po flasim për pozitën e kryeministrit sot. Por për balancim të rolit tonë. Nëse qeverinë e ka partia e parë, duhet të balancojë pushtetin me partnerët”, tha Haziri.
Sipas tij, zgjedhja e presidentit me dy të tretat e votave e bën atë një figurë konsensuale dhe garantuese të rendit kushtetues.
“Kur zgjidhet një president me 2/3 është konsensual dhe e merr Kushtetutën nën sqetulla, është i të gjithëve dhe ruan rendin kushtetues”, deklaroi ai.
Duke folur për procesin e konstituimit të Kuvendit, Haziri kritikoi vendimin e kryesuesit të seancës, Avni Dehari, për ta caktuar vazhdimin e saj për të shtunën, ndonëse afati kushtetues për përfundimin e procesit përfundonte të premten.
Ai tha se partitë opozitare, PDK, LDK dhe AAK, qëndruan në Kuvend gjatë orëve të fundit të së premtes me qëllim të “mbrojtjes së rendit kushtetues”.
Sipas Hazirit, Vetëvendosje duhej ta kishte mundësuar vazhdimin e seancës gjatë së premtes.
Sa i përket pjesëmarrjes së LDK-së në seancën e caktuar për të shtunën, Haziri tha se vendimi do të merret nga kryesia e partisë gjatë mëngjesit.
Ai theksoi se LDK-ja mbetet e hapur për takime të tjera me Vetëvendosjen, pavarësisht se të premten liderët e dy partive deklaruan se ende janë larg një marrëveshjeje për formimin e institucioneve.
LDK-ja ka kërkuar që të ketë të drejtën për të propozuar kandidatin për president, ndërsa Vetëvendosje e ka cilësuar këtë si kërkesë që nuk përputhet me rezultatin e zgjedhjeve.
Haziri e ka lidhur kërkesën e LDK-së me raste kur, sipas tij, posti i kryeministrit u është ofruar dy herë partive të tjera, pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve.
Në fund, Haziri ka mohuar se emri i tij është diskutuar si kandidat i mundshëm për postin e presidentit.









