Isa Mustafa mund të ketë pasur gabime të tjera në politikë por gabimi kapital i tij dhe me pasoja të mëdha mban emrin: Vjosa Osmani.

Në vitin 2019 Mustafa si dhe një pjesë e madhe e elektoratit të LDK-së u bind se pakënaqësitë e Osmanit kishin të bëjnë me brengat e saj gjenuine për të ardhmen e partisë e nuk lidheshin me fatin personal.

Prandaj, Mustafa ju përgjigj thirrjes dhe e vendosi bartëse të listës e kandidate për kryeministre Osmanin. LDK-ja vazhdoi duke bërë koalicion me Albin Kurtin më pas.

Në marrëveshjen e koalicionit, të negociuar nga vetë Osmani, thuhej se: Kryeministri pra Albin Kurti nuk mund të bëjë ndryshime në përbërje të qeverisë pa e njoftuar paraprakisht partnerin.

Albin Kurti bëri ndryshime nuk e njoftoi LDK-në e shkeli marrëveshjen që Osmani vetë e kishte negociuar dhe çfarë bëri Osmani: Iu bashkua Kurtit njeriut që ia shkeli marrëveshjen. Kjo konfirmonte se ajo kurrë s’pati hall partinë po vetën. Por, tashmë ishte vonë.

Ajo e goditi bash në shtyllë kurrizore LDK-në duke ia shkëputur një copë të rëndësishme me GUXO-në e saj për t’ia çuar përfundimisht Albin Kurtit.

Sot kemi një situatë pothuajse identike normalisht me specifikat e kontekstit që ndryshojnë por që në esencë përbën fabulën e njëjtë.

Ramiz Lladrovci kjo hajgare që ka dal jashtë kontrollit pasi e kishte votuar me kënaqësi Memli Krasniqin për kryetar partie kur ky i fundit i doli kundër Lladrovci u revoltua dhe me fuqinë e milionave që i qëndrojnë pas filloi një kampanjë të egër mediatike duke treguar se si ka pakënaqësi të mëdha me lidershipin e partisë.

I mbushur armatim edhe nga Vetëvendosja Lladrovci veshi kostumin e viktimës po si Vjosa Osmani dhe filloi vajtimin se si ky është një kësulëkuqe që po i bëhet e padrejtë.

Fitoi. Dhe pas fitoi vendosi kusht që Memli Krasniqi të largohet në mënyrë që ky të kthehet prapë i lumtur në partinë e zemrës. Krasniqi u largua dha dorëheqje. A u kthye Lladrovci pasi iu plotësua kushti? Normalisht se jo. Sepse çështja kurrë s’ishte ajo që ky e reklamonte nga fillimi.

Lladrovci do pushtet më shumë pushtet. Njëjtë si Vjosa Osmani. Dhe këtë pushtet e sheh po ashtu nëpër rrugën e njëjtë si Vjosa Osmani.

Edhe sikur t’ia plotësojë të gjitha kushtet Bedri Hamza Lladrovcit sot ai nuk kthehet. Gjithmonë do të zbulojë një kusht të ri një temë tjetër një pakënaqësi më shumë.

Sepse, Lladrovci pothuajse me fraza identike si të Osmanit dëshiron ta shkëpus një pjesë të elektoratit të PDK-së, me arsyetimin se ky është PDK-ja e vërtetë e në fund atë elektorat t’ia bashkojë Albin Kurtit njëjtë si Vjosa Osmani për të marrë edhe ky pushtetin që ky beson se i takon.

Ai tash po kërcënon njëjtë si Vjosa Osmani me një listë të tij. Listë e cila e ka vec një elektorat. Atë të PDK-së.

Po, pse Lladrovci e Albin Kurti kombinohen kaq shumë? Le të fillojmë me Kurtin.

Grupi i parë që i është larguar Albin Kurtit është grupi i familjeve të dëshmorëve, Veteranëve të Luftës dhe familjeve që në forma të ndryshme lidhen me luftën. Ata, njëjtë si në vitin 1999 edhe sot me gjasë janë të parët që e kanë vërejtur rrezikun anti-kombëtar.

Kush do të ishte ideal për rikthimin e këtij grupi kaq të rëndësishëm për ta mirëmbajtur vetën lartë në përqindje. Dikush si Ramiz Lladrovci me shokë.

I keni parë edhe takimet e fundit të Ramiz Lladrovict. Me Bekim Jasharin. Me Sylejman Selimin. Me Agim Çekun. Çfarë kanë të përbashkët këta njerëz.

Asnjeri prej tyre, kurrë nuk e ka kritikuar Albin Kurtin. Ata nuk e kanë kritikuar Kurtin as kur shefja e grupit parlamentar i foli me Milan Radojicic-in kundër veteranëve të luftës.

Nuk e kanë kritikuar Kurtin as kur ky ua zgjodhi zëdhënësin e Beogradit për kryeparlamentar Dimal Bashën.

Nuk e kanë kritikuar as kur Kurti e shpalli hero Oliver Ivanovicin, nuk e kanë kritikuar as kur Kurti e lëvdonte Goran Rakicin se ai po e ruan qetësinë në Veri. Kurrë, asnjëherë.

Madje, Bekim Jashari pothuajse ka koalicion të hapur me Kurtin e Sylejman Selimi mundohet të na bindë se Kurti ka qenë luftëtarë i egër në luftë.

E Lladrovci me këta njerëz që nuk e kritikojnë kurrë Kurtin, madje kanë lëvdata për ta, po na thotë sot se do ta rrëzojë Kurtin? Qysh? Kurrqysh.

S’është as ideja aty. Këta janë GUXO e re që ia sjell Kurtit këtë grup kaq të nevojshëm elektoral e ai në këmbim u jep këtyre pushtet të cilin këta besojnë që e meritojnë, por PDK-ja e poshtër kurrë nuk ua dha.

Kështu, me Kurtin që rimerr atë votë e mbase e rritë e me këta që vazhdojnë qetësishte me milunat e tyre, por edhe me diçka më shumë pushtet, jetojnë të lumtur të gjithë.

PDK copëtohet dhe ironia e fatit, del Ramiz Lladrovci e thotë se gjithë këtë po e bën se është PDK i vërtetë, se e do fort Hashim THacin e Kadri Veselin, por iu desh të dal nga partia se këta që janë tash kanë devijuar nga qëllimi i vërtetë.

Pra Ramiz Lladrovci është një Vjosa Osmani në pantallona. Asgjë më shumë. Por, Bedri Hamza e ka në dorë të mos e bëjë gabimin e njëjtë si Isa Mustafa me Vjosa Osmanin.