Për Partinë Socialdemokrate të Kosovës, kthimi i ish-Presidentes, Vjosa Osmani, në listën e LDK-së, është simbol i “Kalit të Trojës”. Ky subjekt, ka ndërmarrë sot një aksion simbolik, në të cilin paraqitet Osmani si personi që do ta shkatërrojë nga brenda Lidhjen Demokratike të Kosovës.
“Është një mashtrim i madh publik sepse Vjosa Osmani nuk është kthy fare në LDK. Ajo nuk është anëtare e LDK-së. E mori një grup prej nja 20 vetav po i çon në listën e LDK-së dhe po e ripërdor LDK-në edhe njëherë. Ne besojmë që me këtë qasje, më shumë i shkon simbolika e kalit të trojës, sepse LDK-ja më shumë se sa po bashkohet, po ndahet rishtazi, sepse njerëzit të cilët i qëndruan besnik LDK-së në periudhën kur u braktis e sulmua nga Vjosa Osmani, kur u shkatërru nga Vjosa Osmani, nuk kanë qenë pjesë e ceremonisë së bashkimit të trumpetuar nga kryetari Abdixhiku”, tha para mediave, kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj.
Partia Socialdemokrate do të garojë në zgjedhjet e 7 qershorit me Dardan Molliqajn, Florin Krasniqin, Natyra Kuçin, Nol Nushin, Frashër Krasniqin dhe Teutë Rrustën.








