Cinikë, të anshëm, tigër prej letre, me gjuhë të Vuçiqit, të dështuar.
Këto janë veç disa etiketime që ndër vite Donika Gërvalla i bënte ndaj Bashkimit Evropian, bash në kohën kur luante shefen e diplomacisë.
Por befas, kur një audio-incizim i kryeprokurorëve e prokurorëve të shtetit tregon gjuhë denigruese ndaj BE-së, Gërvallës iu kujtua se është gabim.
Se nuk duhet.
“Dënojmë ashpër gjuhën e tillë denigruese e cila është në kundërshtim me etikën dhe standardet profesionale të prokurorit”, shkruan Gërvalla.
Por, jo më larg se para 2 vitesh, Gërvalla godiste BE-në, deri edhe me metaforën e komunistit kinez Mao CeDunit.
“Pa SHBA-në dhe NATO-n, BE-ja është një ‘papertiger’ (tigër prej letre) në aspektin e sigurisë. Për shkak se ju e dini këtë, kërkoni paqe në vazhdimësi. Mirëpo, kjo është e rrezikshme.” Deklaronte Gërvalla
Përfaqësuesin e saj të lartë e quante cinik, e i mbante moral mbi turpin…
“Sa turp. Si mund ta tolerojnë më këtë cinizëm anëtarët e BE-së?” shkruante Gërvalla për Borrell, derisa sa i reagonte rreth deklarimeve të tij për sulmin në Banjska.
Ama jo veç për zhvillimet e fundit, të dështuar i quante prej dekadash.
“BE-ja ka dështuar jo vetëm në këtë raport; BE-ja ka dëshmuar që nga vitet ’90 se asnjëherë nuk ka qenë e zonja të gjejë zgjidhjet e nevojshme për krizat në kontinentin e saj.”
Natyrisht, as BE-ja nuk kishte shpëtuar nga akuzat për lidhje me Serbinë.
Këtë Gërvalla-Shfarc ua përplaste evropianëve përmes prestigjiozes austriake Der Standard.
“I dërguari i BE-së për dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, Miroslav Lajčak, shpesh mban qëndrimin e Vuçiqit. Jo vetëm që kjo është vdekjeprurëse për ndërmjetësimin; e inkurajon Vuçiqin të përshkallëzohet.”
Dhe paramendojeni, gjithë këto komente i bënte nga një pozitë që përshkrim të punës e kishte mirëmbajtjen e raporteve veçanërisht me BE-në.
Sa për kryeprokurorin Blerim Isufajt, atij Donika Gërvalla edhe mund t’i kërkojë llogari, por për çështje të tjera.
Ta zëmë: pse nuk mund ta dërgojë kryeministrin Kurtipër intervistim në prokurori?
Pse asnjë politikan, me gjithë aferat e dala, nuk është në burg?
Pse nuk zbardhet sulmi me predha ndaj Kuvendit të Kosovës?
E pse nuk mbyllet rasti i Astrit Deharit?
Deri sa kjo të ndodhë, Gërvalla për vete është e sigurt se hipokrizia akoma nuk dënohet me ligj.








