Kryetari i VV-së, Albin Kurti, dhe kreu i Nismës, Fatmir Limaj, do të takohen përsëri ditëve në vijim, në funksion të gjetjes së një marrëveshjeje bashkëpunimi për funksionalizimin e institucioneve, pesë muaj pas zgjedhjeve parlamentare.

Kjo u pohua nga përfaqësuesit e të dyja palëve, para dhe pas seancës konstituive të 47 me radhë.

“Besoj gjatë javës pimë kafe me Kurtin. Kur ta caktojmë. Duhet të bisedojmë që të dalim prej kësaj situate”, tha Limaj para gazetarëve të martën.

Duke i bërë një lexim situatës aktuale me moskonstituimin e Kuvendit, gjëja më e zakonshme, në prizmin e ish-zëvendëskryeministrit, “është bërë e jashtëzakonshme”.

“Do të bisedoj me kryeministrin, me i pa mundësitë se çka varet nga ne, dhe si mund të tejkalohet kjo krizë. E rëndësishme është që me bërë më të mirën për vendin”, shtoi.

Limaj potencoi përsëri se janë të hapur për bashkëpunim.

Se janë të interesuar për marrëveshje u tha edhe nga VV.

Deputetja e VV-së, Liza Gashi, tha në një intervistë për “Tëvë”, se partia ku bën pjesë ajo, është e gatshme për marrëveshje politike me Nismën.

Gashi tregoi se VV-ja është duke diskutuar me Nismën për të proceduar tutje me marrëveshje.

“Jemi duke diskutuar për të proceduar tutje me Nismën”, pohoi ajo, derisa shtoi se Albulena Haxhiu “është kandidate nga partia jonë dhe në këtë rast do të vazhdojmë të mbështesim zgjedhjen e një gruaje adekuate”.

Këto takime të Kurtit dhe Limajt vijnë në prag të afatit 30 ditor që është përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit.

Kurti dhe Limaj kanë pasur takime edhe më herët. Madje, sipas kreut të Nismës, kishin pasur edhe dakordim gojor që ai të propozohet nga VV për Kryetar të Kuvendit, por që kjo s’kishte ndodhur.

Kjo “marrëveshje” nuk ishte zbatuar, por këto dy parti do tentojnë përsëri që të gjejnë një zgjidhje për bashkëpunim.