Kadetët e Forcës së Sigurisë së Kosovës po kryejnë sot marshin kondicional prej 13 kilometrave, që njihet si “Shtegu i Lavdisë”, në parkun e Gërmisë, në Prishtinë.
Ejup Maqedonci, ministër në detyrë i mbrojtjes, ka publikuar foto me kadetët e Akademisë Ushtarake të FSK-së.
“Ecja ime e zakonshme në Gërmi sot mori një energji krejt tjetër – një pjesë të rrugës e bëra së bashku me kadetët e Akademisë Ushtarake të FSK-së, oficerët e ardhshëm që po realizonin marshin kondicional 13 km “Shtegu i Lavdisë””, ka shkruar Maqedonci në llogarinë e tij në Facebook.
Për këtë stërvitje të FSK-së dje njoftoi edhe Komuna e Prishtinës, e cila nëpërmjet një njoftimi zyrtar u tregoi qytetarëve se prezenca e pjesëtarëve të FSK-së nuk përbën arsye për shqetësim, meqë ky është një aktivitet i rregullt ushtarak.
“Ju njoftojmë se FSK – Forca e Sigurisë së Kosovës, bazuar në planin e saj të stërvitjeve, më 15 nëntor 2025 do të realizojë një stërvitje ushtarake, marshim kondicional në zonën e Gërmisë. Gjatë kësaj periudhe do të ketë lëvizje të këmbësorisë dhe prani të pjesëtarëve të FSK-së në terren. Ky aktivitet zhvillohet në kuadër të planit të rregullt stërvitor dhe nuk ka arsye për shqetësim”, thuhej në njoftimin e Komunës së kryeqytetit.









