KABUL VS KANDAHAR Autoriteti i ngurtë i Hibatullah Akhundzada dhe çarja e madhe mes talebanëve

Grupi islamik, që mori pushtetin në vendin e braktisur nga SHBA, po kalon ditë të vështira si pasojë e një çarje të madhe mes figurave të larta mbi çështjen e internetit dhe të drejtave të grave. Grupi i Kabulit, që duket si grupi më pragmatist, ka kundërshtuar direkt një vendim të Liderit Suprem, Hibatullah Akhundzada, duke shënuar një moment që nuk është parë më herët në mesin e Talebanëve.

KABUL VS KANDAHAR Autoriteti i ngurtë i Hibatullah Akhundzada dhe çarja e madhe mes talebanëve

Një grup talebanësh elitarë

Një audio e siguruar nga BBC-ja ka zbuluar çfarë e shqetëson më së shumti liderin e talebanëve.
Shqetësimi nuk është një rrezik i jashtëm, por një nga brenda Afganistanit, shtetin të cilin talebanët e morën nën kontroll pasi qeveria e mëparshme u rrëzua dhe SHBA-ja u tërhoq në vitin 2021.

Ai paralajmëroi për “elementë të brendshëm në qeveri” që përplasen me njëri-tjetrin brenda Emiratit Islamik që talebanët krijuan për të qeverisur vendin.

Në regjistrimin e rrjedhur, dëgjohet udhëheqësi suprem Hibatullah Akhundzada duke mbajtur një fjalim, ku thotë se mosmarrëveshjet e brendshme mund t’i rrëzojnë përfundimisht të gjithë.

“Si pasojë e këtyre përçarjeve, emirati do të shembet dhe do të marrë fund,” paralajmëroi ai.

Udhëheqësi suprem Hibatullah Akhundzada (në mes) ka “pushtet absolut”, sipas zëdhënësit të tij – por disa ministra, përfshirë Sirajuddin Haqqani (majtas) dhe Mohammad Yaqoob (djathtas), kanë vënë në dyshim disa vendime.

Fjalimi, i mbajtur para talebanëve në një medrese në qytetin jugor të Kandaharit në janar të vitit 2025, shërbeu si benzinë mbi zjarrin e thashethemeve që kishin qarkulluar prej muajsh, thashetheme për përçarje në majat më të larta të talebanëve.

Është një ndarje që udhëheqja e talebanëve e ka mohuar gjithmonë edhe kur është pyetur drejtpërdrejt nga gazetarë të ndryshëm.

Por këto thashetheme e shtynë shërbimin afgan të BBC-së të nisë një hetim njëvjeçar mbi këtë grup jashtëzakonisht sekret, duke zhvilluar më shumë se 100 intervista me anëtarë aktualë dhe ish-anëtarë të talebanëve, si edhe me burime lokale, ekspertë dhe ish-diplomatë.

Për shkak të ndjeshmërisë së raportimit të kësaj historie, BBC-ja ka rënë dakord të mos i identifikojë ata, për sigurinë e tyre.

Tani, BBC ka arritur të identifikojë dy grupe të dallueshme në majat më të larta të talebanëve – secili duke paraqitur vizione të ndryshme për Afganistanin.

Njëri grup është plotësisht besnik ndaj Akhundzadës, i cili, nga baza e tij në Kandahar, po e shtyn vendin drejt vizionit të tij për një Emirat Islamik të rreptë, të izoluar nga bota moderne, ku figura fetare besnike ndaj tij kontrollojnë çdo aspekt të shoqërisë.

Grupi i dytë, i përbërë nga anëtarë të fuqishëm të talebanëve, kryesisht të bazuar në kryeqytetin Kabul, që mbështesin një Afganistan që edhe pse ndjek një interpretim të rreptë të Islamit – angazhohet me botën e jashtme, ndërton ekonominë e vendit dhe madje u lejon vajzave dhe grave qasje në arsim, gjë që tani për tani ua mohon përtej shkollës fillore.

Një burim i brendshëm e përshkroi luftën e brendshme të talebanëve si “Kandahari kundër Kabulit”.

Por pyetja ka qenë gjithmonë nëse grupi i Kabulit, i përbërë nga ministra të kabinetit taleban, militantë të fuqishëm dhe dijetarë fetarë, do ta sfidonte ndonjëherë në mënyrë domethënëse Akhundzadën gjithnjë e më autoritar.

Në fund të fundit, sipas talebanëve, Akhundzada është sundimtari absolut i grupit – një njeri që i përgjigjet vetëm Allahut dhe jo dikush që mund të sfidohet.

Pastaj erdhi një vendim që do ta përshkallëzonte këtë tërheqje delikate litarësh mes njerëzve më të fuqishëm të vendit në një përplasje vullnetesh.

Në fund të shtatorit, Akhundzada urdhëroi që qasja në internet dhe linja telefonike të ndërpritej, duke e shkëputur Afganistanin nga pjesa tjetër e botës.

Tre ditë më vonë, interneti u rikthye, pa asnjë shpjegim për arsyen.

Ajo që kishte ndodhur prapa skenave ishte tronditëse, thonë burime të brendshme. Grupi i Kabulit kishte vepruar kundër urdhrit të Akhundzadës dhe e kishte rikthyer qasjen në internet.

“Talebanët, ndryshe nga çdo parti apo fraksion tjetër afgan, janë të veçantë për kohezionin e tyre – nuk ka pasur ndarje, madje as shumë mospajtime,” shpjegon një ekspert për Afganistanin, i cili i ka studiuar talebanët që nga themelimi i tyre.

“Në ADN-në e lëvizjes është e ngulitur parimi i bindjes ndaj eprorëve dhe, në fund, ndaj Emirit [Akhundzadës]. Kjo është arsyeja pse akti i rindezjes së internetit, në kundërshtim me urdhrat e tij të qarta, ishte kaq i papritur dhe kaq domethënës,” tha eksperti.

Siç e përshkroi një burim i brendshëm taleban: kjo nuk ishte asgjë më pak se një rebelim.

Një besimtar

Njëra nga dy fotot e vetme të Akhundzadas

Ekzistojnë vetëm dy fotografi të konfirmuara të Akhundzadës.

Hibatullah Akhundzada nuk e nisi udhëheqjen e tij në këtë mënyrë.

Burimet thonë se ai u zgjodh udhëheqës suprem i talebanëve në vitin 2016, pjesërisht për shkak të qasjes së tij për ndërtimin e konsensusit.

Duke mos pasur vetë përvojë, ai gjeti një zëvendës te Sirajuddin Haqqani – komandanti i frikshëm militant, i cili në atë kohë ishte një nga njerëzit më të kërkuar nga SHBA-ja, me një shpërblim prej 10 milionë dollarësh për informacione që çonin në kapjen e tij.

Një zëvendës i dytë u gjet te Yaqoob Mujahid, djali i themeluesit të talebanëve, Mullah Omarit – i cili ndonëse i ri në moshë sillte me vete gjakun e talebanëve dhe potencialin për të bashkuar lëvizjen.

Kjo strukturë vazhdoi gjatë gjithë negociatave me Washingtonin në Doha për t’i dhënë fund luftës 20-vjeçare mes luftëtarëve talebanë dhe forcave të udhëhequra nga SHBA-ja. Marrëveshja përfundimtare, e arritur në vitin 2020, çoi në rimarrjen e papritur dhe dramatike të vendit nga talebanët, si dhe në tërheqjen kaotike të trupave amerikane në gusht të vitit 2021.

Për botën e jashtme, ata dukeshin një front i bashkuar.

Por të dy zëvendësit do ta gjenin veten të degraduar në heshtje në poste ministrore sapo talebanët u rikthyen në pushtet në gusht të vitit 2021, me Akhundzadën që tani ishte qendra e vetme e pushtetit, thanë burime të brendshme për BBC-në.

Edhe Abdul Ghani Baradar, bashkëthemeluesi i fuqishëm dhe me ndikim i talebanëve, i cili kishte udhëhequr negociatat me SHBA-në – u gjend në rolin e zëvendëskryeministrit në vend të kryeministrit, siç kishte pritur shumëkush.

Në vend të kësaj, Akhundzada – duke shmangur kryeqytetin, ku ndodhet qeveria, dhe duke preferuar të qëndronte në Kandahar, një bazë pushteti për talebanët – filloi të rrethonte veten me ideologë të besuar dhe linja të ashpra.

Besnikë të tjerë morën kontrollin e forcave të sigurisë së vendit, politikave fetare dhe pjesëve të ekonomisë.

“[Akhundzada], që nga fillimi, kërkoi të formonte fraksionin e tij të fortë,” i tha BBC-së një ish-anëtar i talebanëve – i cili më vonë shërbeu në qeverinë afgane të mbështetur nga SHBA-ja.

“Edhe pse fillimisht i mungonte mundësia, sapo fitoi pushtetin, ai filloi ta bënte këtë me mjeshtëri, duke zgjeruar rrethin e tij përmes autoritetit dhe pozitës që kishte”.

Organogrami i Talebanëve, publikuar nga BBC. Me prapavijë të kaltër shfaqen besnikët e Kandaharit, me ngjyrë portokalli Grupi i Kabulit

Dekrete nisën të shpalleshin pa konsultim me ministrat talebanë të bazuar në Kabul dhe me pak respekt për premtimet publike të bëra para marrjes së pushtetit, për çështje si lejimi i vajzave për qasje në arsim. Ndalimi i arsimit, së bashku me ndalimin e punës për gratë, mbetet një nga “burimet kryesore të tensionit” mes dy grupeve, siç u theksua në një letër të një organi monitorues të OKB-së drejtuar Këshillit të Sigurimit në dhjetor.

Ndërkohë, një burim tjetër i brendshëm i tha BBC-së se Akhundzada, i cili kishte filluar karrierën si gjykatës në gjykatat e Sheriatit të talebanëve në vitet 1990, po bëhej “edhe më i ngurtë” në bindjet e tij fetare.

Ideologjia e Akhundzadës ishte tashmë e tillë që ai jo vetëm e dinte, por edhe e miratonte zgjedhjen e djalit të tij për t’u bërë bombardues vetëvrasës, sipas dy zyrtarëve talebanë pas vdekjes së djalit të tij në vitin 2017.

Ai është i bindur se marrja e një vendimi të gabuar mund të ketë pasoja përtej jetës së tij, i është thënë BBC-së.

“Çdo vendim që ai merr, thotë: unë i përgjigjem Allahut; në Ditën e Gjykimit do të pyetem pse nuk ndërmora një veprim,” shpjegoi një zyrtar aktual i qeverisë talebane.

Dy persona që kanë qenë në takime me Akhundzadën i përshkruajtën ato si përballje me një njeri që mezi fliste e që zgjidhtë të komunikonte kryesisht përmes gjesteve, të cilat interpretoheshin nga një ekip klerikësh të moshuar të pranishëm në dhomë.

Në mjedise më publike, dëshmitarë të tjerë okularë thonë se ai e fsheh fytyrën – duke i mbuluar sytë me një shall dhe shpesh duke qëndruar në një kënd kur i drejtohet audiencave. Fotografimi apo filmimi i Akhundzadës është i ndaluar. Dihet se ekzistojnë vetëm dy fotografi të tij.

Aranzhimi i një takimi është bërë gjithashtu gjithnjë e më e vështirë. Një tjetër anëtar i talebanëve i tha BBC-së se Akhundzada dikur mbante “konsultime të rregullta”, por tani “shumica e ministrave talebanë presin me ditë ose javë”. Një burim tjetër i tha BBC-së se ministrave të bazuar në Kabul u është thënë të “udhëtojnë në Kandahar vetëm nëse marrin një ftesë zyrtare”.

Në të njëjtën kohë, Akhundzada po zhvendoste departamente kyçe në Kandahar – përfshirë shpërndarjen e armëve, e cila më parë ishte nën kontrollin e ish-zëvendësve të tij Haqqani dhe Yaqoob.

Në një letër të dhjetorit, ekipi monitorues i OKB-së vuri në dukje se “konsolidimi i pushtetit” nga Akhundzada ka përfshirë gjithashtu një forcim të vazhdueshëm të forcave të sigurisë nën kontrollin e drejtpërdrejtë të Kandaharit.

Raportet sugjerojnë se Akhundzada jep urdhra të drejtpërdrejtë deri te njësitë lokale të policisë, duke anashkaluar ministrat në Kabul.

Një analist argumenton se rezultati është se “autoriteti real është transferuar në Kandahar” – diçka që zëdhënësi i talebanëve, Zabihullah Mujahid, e mohoi për BBC-në.

“Të gjithë ministrat e kanë pushtetin e tyre brenda kornizës ministrore, duke kryer punët e përditshme dhe duke marrë vendime – të gjitha kompetencat u janë deleguar atyre dhe ata i kryejnë detyrat e tyre,” tha ai.

Megjithatë, “nga perspektiva e Sheriatit, ai [Akhundzada] ka pushtet absolut”, shtoi Mujahid – duke thënë se “për të shmangur përçarjen e ndaluar nga Zoti, vendimet e tij janë përfundimtare”.

Burra “që e kanë parë botën”

Kabuli, kryeqyteti i Afganistanit

Brenda grupit të Kabulit, pakënaqësia po rritej dhe aleancat mes tyre po forcoheshin.

“Ata [grupi i Kabulit] janë njerëz që e kanë parë botën,” i tha BBC-së një analist. “Prandaj, ata besojnë se qeveria e tyre, në formën aktuale, nuk mund të zgjasë.”

Grupi i Kabulit dëshiron të shohë një Afganistan që lëviz drejt modelit të një shteti të Gjirit, pra një shteti që merret me prodhimin dhe shitjen e naftës në shkallë të gjerë.

Ata janë të shqetësuar për përqendrimin e pushtetit në Kandahar, natyrën dhe zbatimin e ligjeve, mënyrën se si talebanët duhet të angazhohen me komunitetin ndërkombëtar, si dhe për arsimin dhe punësimin e grave.

Por pavarësisht se mbështet dhënien e më shumë të drejtave për gratë afgane, grupi i Kabulit nuk përshkruhet si i moderuar.

Në vend të kësaj, burime të brendshme i shohin ata si “pragmatikë”, të udhëhequr jozyrtarisht nga Baradari – një nga themeluesit e talebanëve, i cili ende gëzon besnikëri të madhe. Ai gjithashtu mendohet të jetë “Abduli” që Donald Trump e përmendi si “kreun e talebanëve” gjatë një debati të fushatës presidenciale amerikane në vitin 2024. Në fakt, ai ishte kryenegociatori i grupit me SHBA-në.

Pozicionet në ndryshim të grupit të Kabulit nuk kanë kaluar pa u vënë re.

“Ne e mbajmë mend se ata [udhëheqësit talebanë të bazuar në Kabul] dikur shkatërronin televizorët, por tani shfaqen vetë në televizion,” tha një analist.

Ata e kuptojnë gjithashtu fuqinë e rrjeteve sociale.

Ish-zëvendësi Yaqoob, babai i të cilit udhëhoqi talebanët gjatë sundimit të tyre të parë, kur muzika dhe televizioni ishin të ndaluara, po bëhet gjithnjë e më popullor mes anëtarëve të rinj talebanë dhe disa afganëve të zakonshëm, gjë që shihet në video entuziaste në TikTok dhe në përmbajtje me fytyrën e tij.

Askush nuk ka qenë më efektiv në rindërtimin e imazhit të vet sesa ish-zëvendësi tjetër, Sirajuddin Haqqani. Aftësia e tij për t’i shpëtuar kapjes, ndërkohë që rrjeti i tij organizonte disa nga sulmet më vdekjeprurëse dhe më të sofistikuara gjatë luftës afgane kundër forcave të udhëhequra nga SHBA-ja – përfshirë një sulm me kamion-bombë në Kabul në vitin 2017, ku u vranë më shumë se 90 civilë pranë ambasadës gjermane – e ngriti atë në një status pothuajse mitik mes mbështetësve.

Gjatë asaj kohe, ekzistonte vetëm një fotografi e njohur e tij – e realizuar nga një gazetar afgan i BBC-së.

Por gjashtë muaj pas tërheqjes së SHBA-së, Haqqani doli para kamerave në një ceremoni diplomimi të oficerëve të policisë në Kabul, me fytyrën e zbuluar.

Ishte hapi i parë drejt një imazhi të ri: jo më një militant, por një burrë shteti – me të cilin Neë York Times do të ulej në vitin 2024 dhe do ta pyeste: a është ai shpresa e Afganistanit për ndryshim?

Vetëm disa muaj më vonë, FBI-ja do të hiqte në heshtje shpërblimin prej 10 milionë dollarësh për kapjen e tij.

Megjithatë, analistët dhe burimet e brendshme i thanë disa herë BBC-së se lëvizja e hapur kundër udhëheqësit suprem Akhundzada ishte e pamundur.

Kundërshtia ndaj dekretave të tij ka qenë e vogël dhe e kufizuar – për shembull, moszbatimi i rregullave si ndalimi i rruajtjes së mjekrës në rajonet nën kontrollin e zyrtarëve të lidhur me grupin e Kabulit. Por veprat më të mëdha të rebelimit janë konsideruar gjithmonë të pamendueshme.

Një ish-anëtar i talebanëve theksoi për BBC-në se “bindja ndaj [Akhundzadës] konsiderohet e detyrueshme”.

Vetë Haqqani, në intervistën e tij për Neë York Times, minimizoi mundësinë e një ndarje të hapur. “Bashkimi është i rëndësishëm për Afganistanin aktualisht që të mund të kemi një vend paqësor,” tha ai.

Në vend të kësaj, një analist tha se grupi i Kabulit po zgjedh të dërgojë “një mesazh si për komunitetin ndërkombëtar, ashtu edhe për afganët”, që thotë: “Ne jemi të vetëdijshëm për ankesat dhe shqetësimet tuaja, por çfarë mund të bëjmë?”

Të paktën, kjo ishte situata para se të vinte urdhri për mbylljen e internetit.

Pika e çarjes

Një taleban duke përdorur internetin

Udhëheqësi suprem i talebanëve është një njeri me një mosbesim të thellë ndaj internetit; ai beson se përmbajtja e tij është kundër mësimeve islame.

Grupi i Kabulit beson se një vend modern nuk mund të mbijetojë pa internet.

Urdhri i udhëheqësit suprem për ndalimin e internetit nisi në provincat nën kontrollin e aleatëve të Akhundzadës, para se të zgjerohej në të gjithë vendin.

Burime të afërta me grupin e Kabulit dhe brenda qeverisë talebane përshkruan atë që ndodhi më pas, një moment pothuajse i paprecedent në historinë e talebanëve.

“I habitën shumë anëtarë të lëvizjes,” tha një burim.

Në thelb, ministrat më të fuqishëm të grupit të Kabulit u mblodhën dhe bindën kryeministrin e bazuar në Kabul, Mullah Hassan Akhund, që të urdhëronte rikthimin e internetit.

Në fakt, grupi kishte bërë të ditur pakënaqësinë e tij për dekretin edhe përpara se interneti të ndërpritej në të gjithë vendin: udhëheqësi de-facto i grupit, Baradar, udhëtoi në Kandahar për të paralajmëruar një nga guvernatorët më besnikë të Akhundzadës se duhej “ta zgjonin” – duke shtuar se duhej të ndalonin të jenë thjesht “po-njerëzit” e udhëheqësit suprem.

“Ti nuk ia thua të vërtetën hapur; çfarëdo që thotë ai, ti thjesht e zbaton,” raportoi një burim nga Kandahari se kishte thënë ai.

Fjalët e tij, tha burimi, u injoruan. Të hënën, më 29 shtator, një urdhër erdhi në ministrinë e telekomunikacionit drejtpërdrejt nga udhëheqësi suprem për të ndalur gjithçka. “Asnjë justifikim” nuk do të pranohej, tha një burim i ministrisë për BBC-në.

Të mërkurën në mëngjes, një grup ministrash të grupit të Kabulit – përfshirë Baradarin, Haqqanin dhe Yaqoobin – u mblodhën në zyrën e kryeministrit, së bashku me ministrin e telekomunikacionit. Atje, ata e nxitën kryeministrin e lidhur me Kandaharin të merrte kontrollin dhe të zhbëjq urdhrin. Sipas një burimi, ata i thanë se përgjegjësia e plotë binte mbi ta.

Kjo funksionoi. Interneti u rikthye.

Më e rëndësishmja, brenda atyre pak ditëve, ishte se ajo që Akhundzada kishte lënë të nënkuptohej në atë fjalim disa muaj më parë disi ishte realizuar: burimet e brendshme po kërcënonin unitetin e talebanëve.

Por pse ky urdhër? Një ekspert thekson se anëtarët e talebanëve kanë qenë të gatshëm të ndjekin Akhundzadën, edhe pse nuk pajtoheshin me dekrete si ato për arsimin e vajzave. Sepse, shumë prej atyre që e kishin sfiduar hapur më parë, e kishin paguar rëndë.

Në shkurt të vitit 2025, ish-zëvendësministri i jashtëm duhej të largohej nga vendi pasi paralajmëroi publikisht se udhëheqësia po largohej nga “rruga e Zotit” duke “bërë padrejtësi ndaj 20 milionë njerëzve” – një referencë kjo për ndalimin e arsimit për vajzat.

Monitoruesit e OKB-së tregojnë për të paktën dy të tjerë që janë arrestuar pas pyetjeve mbi dekrete të Akhundzadës lidhur me arsimin e vajzave, në korrik dhe shtator 2025.

Por ka gjithashtu prova që Akhundzada dhe aleatët e tij po lëvizin për të mbajtur figura si Haqqani pranë – pavarësisht kritikave publike të këtij të fundit ndaj konsolidimit të pushtetit të udhëheqësit suprem.

Megjithatë, kalimi nga fjalët tek veprimet dhe shmangia kaq vendimtare e një urdhri ishte, mund të thuhet, një hap tjetër tërësisht i veçantë.

Si thekson një ekspert, këtë herë mund të ketë qenë e vlefshme të rrezikohej. Pozicionet e tyre vijnë me pushtet dhe “aftësinë për të fituar para”, thotë eksperti. Por të dy grupet varen nga interneti, tani thelbësor si për qeverisjen, ashtu edhe për tregtinë.

“Ndërprerja e internetit kërcënoi privilegjet e tyre në një mënyrë që mbajtja e vajzave më të mëdha jashtë arsimit kurrë nuk e bëri,” thekson eksperti.
“Ndoshta kjo është arsyeja pse atë herë ishin ‘të guximshëm’”.

Vajzave në Afganistan nuk u lejohet vazhdimi i edukimit pas shkollës fillore

Pas rikthimit të internetit, spekulimet rreth asaj që do të ndodhte më pas ishin të shumta. Një burim pranë grupit të Kabulit sugjeroi se ministrat do të largoheshin ose degradoheshin ngadalë.
Megjithatë, burimi nga Kandahari sugjeroi se mund të ishte vetë udhëheqësi suprem që u tërhoq “sepse frikësohet nga një kundërshtim i tillë”.

Ndërsa viti po afrohej drejt fundit, dukshëm nuk kishte ndryshuar asgjë.
Letra drejtuar Këshillit të Sigurimit të OKB-së vuri në dukje se disa shtete anëtare të OKB-së “kanë minimizuar ndarjen mes udhëheqësve në Kandahar dhe Kabul si diçka e ngjashme me një mosmarrëveshje familjare që nuk do të ndryshonte status quo-në; të gjithë udhëheqësit e lartë janë të investuar në suksesin e talebanëve”.

Zabiullah Mujahid, zëdhënësi i lartë i qeverisë talebane, ka mohuar kategorikisht çdo ndarje.
“Ne nuk do të lejojmë kurrë të ndahemi,” i tha ai BBC-së në fillim të janarit 2026. “Të gjithë zyrtarët dhe udhëheqësia e dinë se një ndarje mund të jetë e dëmshme për të gjithë, për Afganistanin, e ndaluar fetarisht dhe e ndaluar nga Allahu.”

Megjithatë, ai gjithashtu pranoi se ekzistojnë dallime në “mendim” mes anëtarëve të talebanëve, por i krahasoi ato me “një dallim mendimi brenda një familjeje”.

Në mes të dhjetorit, këto “dallime” dukeshin se po dilnin përsëri në sipërfaqe.
Haqqani u filmua duke iu drejtuar një turme në provincën e tij Khost gjatë lutjeve të së premtes, duke paralajmëruar se kushdo që “arrin pushtetin përmes besimit, dashurisë dhe besimit të kombit dhe pastaj e braktis ose harron të njëjtin komb… nuk është një qeveri”.

Në të njëjtën ditë, besnikja e Akhundzadës, Neda Mohammad Nadem – ministrja e arsimit të lartë – mbajti fjalimin e saj për studentët diplomuar në një medrese në një provincë fqinje.
“Vetëm një person udhëheq dhe të tjerët zbatojnë urdhrat, kjo është një qeveri e vërtetë islame,” tha ajo. “Nëse ka shumë udhëheqës, atëherë do të shfaqen probleme dhe kjo qeveri që kemi arritur do të shkatërrohet.”

Pas mosmarrëveshjes mbi internetin, këto komente të fundit vendosen në një sfond shumë të ndryshëm nga ato të bëra nga Akhundzada në regjistrimin e rrjedhur në fillim të vitit 2025.

Megjithatë, nëse viti 2026 do të jetë viti kur grupi i Kabulit do të lëvizë për të bërë ndryshime të ndjeshme për gratë dhe burrat e Afganistanit mbetet ende për debat.

“Si gjithmonë… pyetja mbetet pas mosmarrëveshjes së dukshme brenda nivelit të lartë të Emiratit – a do të çojnë fjalët ndonjëherë në veprim?” thotë një ekspert.
“Ende jo”.

LAJME

DREJTËSI, JO POLITIKË Liria ka Emër fton qytetarët të marrin pjesë në marshin në mbrojtje të UÇK-së

VËMENDJE NDËRKOMBËTARE Mediat e huaja: Verdikti për ish-krerët e UÇK-së do ketë ndikim rajonal dhe evropian

QEMAJL ÇLIRIMTARI 89 tenderë i fiton kompania e nipit të asamblistit të Vetëvendosjes nga Komuna e Shtimes

FAKT YOU

QEMAJL ÇLIRIMTARI 89 tenderë i fiton kompania e nipit të asamblistit të Vetëvendosjes nga Komuna e Shtimes

Lidhja e (pa)dukshme Dega e kompanisë së Vuk Hamoviç-it në Tiranë dhe BIRN-i i Jeta Xharrës në Kosovë me kontabilistë të njëjtë

REZERVAT E ROZETËS Kontaminohet sërish procesi i blerjes së Rezervave Shtetërore – përjashtohen të gjitha kompanitë vendore

DHOMA SPECIALE

BETEJA E FUNDIT‘Spekulimet të mos jenë fakte’ – UÇK përballë gjykimit që rrezikon të kthehet në precedent politik dhe historik

UÇK NË GJYQ Si po i shkelmon Specialja ligjet ndërkombëtare, duke shkelur të drejtat e njeriut në gjykimin ndaj krerëve të UÇK-së

Ekskluzive EKSKLUZIVE

AUDIO-INCIZIMI Zyrtarët e Speciales iu ligjëruan nxënësve të Kosovës se si UÇK-ja dyshohet se ka kryer krime, vrasje e tortura

INTERVISTA

INTERVISTA Valdete Daka thotë se Vjosa Osmani nuk e meriton edhe një mandat si presidente

NDËRHYRJA E MUJKËS Mehmetaj përplaset me Drejtorin e Burgjeve: S’je ka sqaron sen, veç po thua s’e di edhe s’më kujtohet

“A shkelet ligji për Faruk Mujkën?” Lirim Mehmetaj përplaset me Drejtorin e Burgjeve, Ismail Dibranin