Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës (AUVK), së bashku me inspektoratin përkatës të Ministrisë së Bujqësisë, ka konstatuar mospërputhje mes deklarimit në etiketa dhe përbërjes së disa produkteve të kompanisë “Abrazen L.L.C. – Qumështorja Vita”.
Sipas autoriteteve, gjatë inspektimit në ambientet e kompanisë janë gjetur sasi të konsiderueshme të qumështit pluhur dhe vajit bimor me karakteristika të vajit të palmës.
Ministri në detyrë i Bujqësisë, Armend Muja, tha se analizat kanë evidentuar yndyrë bimore në 26 produkte të kësaj kompanie.
“Qumështi, djathi, maza dhe gjiza janë zëvendësuar me vaj palme dhe jo me qumësht lope”, deklaroi Muja.
Sipas tij, përdorimi i këtyre përbërësve nuk ishte deklaruar në etiketat e produkteve, duke bërë që konsumatorët të mos ishin të informuar për përbërjen reale të tyre.
“Është konstatuar përtej dyshimit se qumështorja ‘Vita’ ka importuar sasi të madhe të vajit të palmës, ku në vitin 2025 është afërsisht 1 milion kilogramë”, deklaroi Muja.
Ai tha se gjatë kontrolleve në depon e kompanisë janë gjetur “tonelata të qumështit pluhur dhe tonelata të vajit të palmës”, ndërsa inspektorët kanë evidentuar 26 produkte me vaj palme.
Muja u ndal veçanërisht te gjetjet e prezantuara nga AUV-ja më 5 gusht, duke pretenduar se në një seri produktesh të bylmetit, qumështi i lopës ishte zëvendësuar me vaj palme, ndërsa produktet ishin prezantuar me emër tjetër.
“Konsumatori ka blerë qumësht duke menduar se është qumësht, mazë e të tjera, por sipas raportit të AUV-it konsumatorët kanë blerë qumësht, por nuk ka qenë qumësht; kanë blerë mazë e nuk ka qenë mazë; kanë blerë djathë, por nuk ka qenë djathë”, tha ministri.









