Para se pesë policë t’i gjuheshin mbi trup, Agon Zejnullahu kishte treguar shenja se nuk është mirë me shëndet.

Kështu ka treguar ekskluzivisht për Vox Kosova, dëshmitari kryesor i ngjarjes tragjike të natës së 7 korrikut, Gazmend Bleta.

“E ka pas një troh bardhë qitu diçka. Por kur e kanë rrëzu, kur i ka hypë policia domethanë përmbi në qat moment që e kanë rrëzu këta, ja kanë qitë këtu në qafë ia kanë qitë gjurin edhe dorën ia ka qitë këtu në fytyrë edhe kështu e ndrydhshin për toke. Jam afru unë i kam pa nja dy të bardhë diçka si shkumë në tokë”, ka treguar për Vox Kosova.

Gjersa këtë situatë e kishin parë edhe policët, Bleta ua kishte bërë me dije policëve gjendjen e Agonit.

“Kam fillu prej policëve me kërku m’i thanë lirone a din se s’është mirë. Nuk po ka frymëmarrje, lirone, lirone. Asnjë s’ka fol me mu hiç. Në ato momente e kom pa që sa u kanë t’u u arrestu Agoni, veç iu ka ndryshu komplet çehrja e fytyrës”, rrëfen për Vox Kosova, dëshmitari kryesor, Gazmend Bleta.