07 qershori është data kur në Kosovë pritet të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare. Përfaqësues të partive opozitare, pas takimit që patën me ushtruesen e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, thanë se fundi i javës së parë të muajit qershor është data më e preferueshme e shumicës së partive politike.
“Si LDK dhamë opinionin tonë që brenda kornizave ligjore të shpallet data e 07 qershorit si datë e zgjedhjeve meqë ishte arsyetim që KQZ ka kërkuar më shumë kohë për mobilizim të strukturës së saj për organizim të strukturës së zgjedhjeve”, tha Jehona Lushaku – Sadriu nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Pro kësaj date ishte edhe Ardian Gjini i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Nga ana tjetër, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, tha se subjekti që udhëheq ai është pro çfarëdo date që vendoset brenda afatit të paraparë ligjor.
“Për Partinë Demokratike të Kosovës, cilado nga datat brenda afateve kushtetuese dhe brenda vendimit të Gjykatës Kushtetuese është e pranueshme, qoftë ajo data 31 apo data 7, kështu që ne jemi të përgatitur, të jemi të gatshëm për zgjedhje dhe të respektojmë afatet ligjore dhe kushtetuese”, tha ai.









