“Ekziston edhe interesimi, edhe vullneti, edhe gatishmëria, por në javën e ardhshme marrim vesh gjithçka”, ka thënë Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, kur është pyetur se kur do të vazhdojnë takimet me Kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, për formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit.

Ditët që kanë mbetur, para seancës për konstituimin e Kuvendit, e cila do të mbahet më 6 gusht, Kurti tha se do t’i shfrytëzojnë, por shton se nuk mund ta parashikojë rezultatin.

“Do të përpiqemi që t’i shfrytëzojmë këto ditë, në mënyrë që të jemi sa më të përgatitur kur fillon seanca për konstituimin e institucioneve të legjislaturës së 11-të. Mirëpo, nuk mund ta parashikojmë ende rezultatin. Nuk do të mungojnë përpjekjet”, tha Kurti për Ekonomia Online, pas pjesëmarrjes së tij në pritjen e organizuar nga LVV-ja për mërgimtarë të shtunën.

Pas rikonfirmimit të tij si Kryetar i LDK-së, Lumir Abdixhiku bëri me dije se mund të vazhdojë diskutimet me Kurtin për formimin e institucioneve, pasi që i kishte pezulluar për shkak të kontestimit të lidershipit të tij në parti.

Kurti dhe Abdixhiku ishin takuar më 10 korrik, por nga ky takim nuk kishte pasur ndonjë rezultat.