Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka lënë të hapur mundësinë që të kandidojë për kryetare të partisë në procesin e ardhshëm zgjedhor.

Në një intervistë për Blic, Musliu ka thënë se mendon se ka ardhur momenti që në garën për kryetar të PDK-së të ketë edhe një kandidate grua.

“Unë mendoj që ka ardhur momenti që në garën zgjedhore të PDK-së, në një proces, të ketë kandidate grua”, ka deklaruar ajo.

E pyetur nëse e sheh veten si kandidate, Musliu ka thënë se nuk e përjashton këtë mundësi, por ka shtuar se është ende herët të flitet për kandidaturat, pasi PDK-ja nuk e ka nisur procesin zgjedhor.

“Është herët të flitet për kandidaturat, pasi PDK-ja ende nuk e ka filluar procesin zgjedhor. Mendoj se secili anëtar i PDK-së duhet të ketë ambicie, sepse në politikë duhet të kesh ambicie për të ecur përpara, përndryshe nuk ka zhvillim dhe dinamikë. Konsideroj se secili e ka të drejtën të zgjidhet dhe të zgjedhë”, ka deklaruar Musliu.

“Do ta shqyrtoj mundësinë. Nëse e shoh të nevojshme që duhet të garoj, nuk e përjashtoj veten nga gara”, ka thënë Musliu.