Zyra e Presidencës pas 5 tetorit mund të mbetet pa president/e nëse vendi shkon në zgjedhje.
Për këtë e ka menduar një “zgjidhje” ushtruesja e kësaj pozite, Albulena Haxhiu, e cila ka deklaruar se po shqyrton mundësinë t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për çështjen e mandatit të saj, në rast se vendi nuk arrin ta zgjedhë Presidentin e ri brenda kohës.
“Sa i përket mandatit tim, Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk flet për këtë çështje, realisht flet që ushtruesi i detyrës nuk mund të qëndrojë më shumë se 6 muaj. Ka pasur interpretime të ndryshme, kanë përmendur çështjen e parimit të vazhdimësisë institucionale dhe të tjera si kjo”, tha ajo para gazetarëve.
Ndërsa, për pjesën se nëse do t’i drejtohet Kushtetueses apo jo, po e pret konfirmimin nga kabineti i saj.
“Jam duke e shqyrtuar çështjen që t’i drejtohem Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje, megjithatë nuk kam vendosur deri tani ende. Po pres që të marr edhe një konfirmim, një sugjerim nga ekipi im që janë të angazhuar në këtë drejtim, prandaj edhe do të njoftoheni me kohë se si do të veproj. Uroj që të mos vijë situata që të kemi ushtrues detyre edhe pas 6 tetorit. Uroj që të kemi president me mandat 5-vjeçar dhe pastaj nuk do të kemi nevojë fare që t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese”, tha ajo.









