Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka thënë se Qeveria e drejtuar nga Albin Kurti që u votua këtë të diel, është “jokushtetuese”, dhe ka paralajmëruar se partia që ai udhëheqë do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje.

“Qeveria që u votua sot është jokushtetuese dhe jolegjitime. Aleanca do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese dhe presim adresim me prioritet nga kjo e fundit, meqë themelet e kushtetueshmërisë po lëkunden”, shkroi Gjini në Facebook.

Albin Kurti, në një seancë të kontestuar ligjërisht, u votua si Kryeministër i Kosovës për herë të katërt të dielën e 13 gushtit.

Qeveria Kurti 4 mori 62 vota për, 8 vota kundër dhe asnjë abstenim.

Në seancë ishin të pranishëm vetëm deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, ata të Listës Serbe dhe komuniteteve joshumicë joserbe.

Ata të Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës nuk morën pjesë.

Këto zhvillime po ndodhin pasi që Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ndonëse pa u zgjedhur nënkryetari nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, e shpalli të konstituuar Kuvendin në seancën e së dielës.